TAGS-AT E JAVËS

Forum11 Qershor 2026, 10:26

Nga kilometri i fundit, te protestuesi i fundit

Shkruar nga Kastriot Kotoni
Nga kilometri i fundit, te protestuesi i fundit
Pamje nga protestat në Tiranë

Lexojeni me kujdes realitetin: pse nuk ngrihen njerëzit nga klubet dhe restorantet që janë plot me njerëz? Keni gjetur ngjarjen simbolike, si ai turisti amerikan që ëndërron të investojë në Zvërnec, por thotë: “Sa ta sqarojmë njëherë çështjen e pronësisë”. Kjo është dilema reale.

Dashnorët e opozitarizmit shqiptar duket se kanë kaluar në një transformim të madh të sinonimit të fjalës antiqeveritare: nga kilometrat te numri i protestuesve. Më mirë të dalin hapur opozitarët e legjitimuar në protestën “Shqipëria e Re”, sesa të përpiqen të maskohen. Duket sikur ndihen në faj, ose më mirë inferiorë, për mënyrën e organizimit të protestës, e cila deri tani e ka pasur suksesin pikërisht te heqja dorë nga metodat e dhunshme ndaj godinave qeveritare dhe përplasjet me forcat e rendit.

Ndërkohë, kryeministri promovon turizmin dhe feston 35-vjetorin e themelimit të Partisë Socialiste të Shqipërisë. Boshtin e mesazhit politik e ka zhvendosur nga Zvërneci te ekonomia, duke të kujtuar thënien e famshme të Bill Clintonit: “Është ekonomia, budalla!”.

Për një kryeadministrator të mirë të shtetit, pyetja thelbësore është: çfarë futet në arkën e shtetit nga industria e turizmit? Protestuesit, nëse duan, mund të ndjekin axhendën e tyre; kjo është punë e tyre. Por, në fund të fundit, ai që fiton ose humb nga kjo protestë nuk është politika, por populli shqiptar dhe e ardhmja e tij.

Lexojeni me kujdes realitetin: pse nuk ngrihen njerëzit nga klubet dhe restorantet që janë plot me njerëz? Keni gjetur ngjarjen simbolike, si ai turisti amerikan që ëndërron të investojë në Zvërnec, por thotë: “Sa ta sqarojmë njëherë çështjen e pronësisë”. Kjo është dilema reale.

Nuk jeni më yjet e mitingjeve të dikurshme, kur mjaftonte një thirrje dhe turma hynte në valle. Ekonomia, dhe vetëm ekonomia, është rezultati i parë dhe i fundit i çdo qeverie. Edhe çdo opozitar duhet të përgatitet të premtojë gjëra të arritshme, me ndikim të drejtpërdrejtë në ekonomi. Të mbash flamurin kombëtar pa asnjë lidhje me zhvillimin e një zone apo territori është naivitet politik.

Ka ekspertë dhe fjala e tyre duhet të dëgjohet. Duhet të krijohet një nismë serioze prej tyre dhe jo të mjaftohemi me thirrje të tipit: “Hajde burra të mbrojmë flamingot!”. Po ashtu, pretendimi se protesta nisi nga komunikimi i dy njerëzve në rrjetet sociale është një bllof që ia ul kredibilitetin asaj.

Merrni përgjegjësinë politike sa është ende e hapur fusha e betejës. Opozitarët në Parlament, që bëjnë llogaritë e tyre për pjesëmarrjen në protestë, nganjëherë duken më keq se patronazhistët apo prestanomet. Ata kanë përvojë, e njohin lojën politike, japin e marrin interesa me pushtetin dhe duan të ushtrojnë ndikim mbi drejtimin e protestës.

Shkurt, nuk mjafton më të dalësh në tribunë apo në podiume mitingjesh. Duhet të paraqiten programe dinjitoze, si një forcë politike me një program të qartë. Rruga e opozitarizmit është e gjatë; nganjëherë aq e gjatë sa zhgënjimet dhe humbjet elektorale bëhen pjesë e saj. Nuk varet më gjithçka nga numri i klikimeve që merr sot.

Arti i opozitarizmit është luks për ata që kanë talent në oratori, që njohin psikologjinë dhe antropologjinë politike të elektoratit. Duhet të dinë të identifikohen qartë: si të djathtë, në mbështetje të biznesit dhe familjes, apo si të majtë, që zgjerojnë hapësirën e përfaqësimit të shtresave të ndryshme të shoqërisë.

Këto janë pyetjet për të cilat kërkon përgjigje elektorati gri, të cilin protestuesit opozitarë synojnë ta fitojnë. Për fat a për keq, në dallim nga shumë shoqëri perëndimore, elektorati shqiptar mbetet kryesisht me prirje të majta.

Pra, keni shumë enigma për të zgjidhur me këto protesta. Mund të rritni numrin e njerëzve që ju ndjekin deri në një pikë kulmore. Mund të shtoni edhe kilometrat që përshkoni në rrugët e Tiranës. Por kjo, në vetvete, nuk tregon asgjë.

Bindjet politike të qarta, të thella dhe të artikuluara në ide janë ushqimi i vërtetë i çdo proteste. Nga sa duket, kreativiteti është ende i kufizuar. Ka këngë tifozërie sportive, ka fjalime të përgjithshme e patetike, por mungon posteri politik i protestës, mungon mesazhi i madh.

Mos harroni se përballë keni një makineri qeveritare të njohur për performancën e saj të lartë mediatike. Me mjete teknike dhe financiare të konsiderueshme, ajo mbetet një kundërshtar i fortë. Dhe propaganda vazhdon të jetë arma e saj më e fuqishme.

Lini një Përgjigje