Policia e Tiranës tashmë do të ketë edhe ndihmën e homologëve të Kosovës, për të gjetur trupin e Eglantin Koçit. Me ndihmën e pajisjeve të sofistikuara homologët e Kosovës do të japin ndihmën e tyre në kërkimet në periferi të Tiranës.
Pas Krrabës, Elbasanit dhe Librazhdit, kërkimet janë fokusuar në zonën e Qafëmollës dhe në Pëllumbas, zona që dyshohet se janë të njohura dhe që frekuentoheshin shpesh nga autori i krimit, 41-vjeçari Armand Shakaj.
Burime policore bëjnë të ditur për A2 CNN, se ka dyshime se pas ngjarjes makina e tij të jetë parë në zonën e Pëllumbasit. Shakaj u pikas që në fillim të denoncimit nga familjarët e Eglant Koçit dhe është një ndër personat e parë që u mor në pyetje nga policia.
Pas këqyrjes së tabulateve telefonike rezultoi se personi i fundit që kishte kryer telefonatë Koçi kishte qenë Shakaj. Për këtë arsye ai thirr dhe u mor në pyetje nga komisariati nr.2, ku ai deklaroi se nuk kishte dijeni se edhe vetë ishte i shqetësuar që Koçi kishte humbur gjurmët.
Mësohet se kur ka dalë nga komisariati pas marrjes në pyetje ai është ndeshur edhe me familjarë dhe të afërm të Eglant Koçit ku i ka thënë se ishte bërë merak edhe ai dhe se kur ta gjenin t'i thonin që ta merrte në telefon.
Policia e ka mbajtur në vëzhgim Shakaj edhe pas marrjes në pyetje por ai ka humbur gjurmët duke u larguar dhe fshehur. Policia e ka telefonuar të paraqitet sërish për dëshmi por ai ka gënjyer duke deklaruar se ndodhej në spital.
Pas hetimeve intensive dhe analizimit të shumë kamerave të sigurisë një ditë më pas u vërtetua se Shakaj kishte rrëmbyer mikun e tij Eglant Koçin. Sipas sistemit TIMS rezulton që Shakaj nuk ka dalë jashtë vendit dhe se mund të fshihet në Tiranë.
Lini një Përgjigje