Legjenda e Liverpulit, Keni Dalglish, ka konfirmuar se po i nënshtrohet trajtimit kundër kancerit, pasi informacioni u bë publik në rrjetet sociale. Ish-futbollisti dhe trajneri i njohur skocez, i cili sot është 75 vjeç, kishte preferuar ta mbante private gjendjen e tij shëndetësore, por u detyrua të reagojë pas publikimit të lajmit.
Në një mesazh të shpërndarë në rrjetet sociale, Dalglish bëri të ditur se trajtimi po ecën sipas parashikimeve.
“Aktualisht po ndjek një trajtim kundër kancerit. Ndryshe nga përdorimi im i telefonit, kurat po shkojnë mirë”, shkroi ai, duke kërkuar njëkohësisht respekt për privatësinë e tij dhe të familjes. Dalglish falënderoi gjithashtu stafin mjekësor për kujdesin dhe mbështetjen e treguar gjatë kësaj periudhe.
I lindur në vitin 1951, Keni Dalglish konsiderohet një nga figurat më të rëndësishme në historinë e futbollit britanik. Ai la gjurmë fillimisht me Sëlltikun në Skoci dhe më pas me Liverpulin, ku u shndërrua në simbol të suksesit të klubit gjatë viteve ’70 dhe ’80.
Me fanelën e “The Reds”, Dalglish fitoi tre Kupa Kampionesh të Europës dhe gjashtë tituj kampionë të Anglisë. Pas përfundimit të karrierës si lojtar, ai drejtoi Liverpulin si trajner në periudhën 1985-1991, ndërsa u rikthye në stolin e skuadrës edhe gjatë sezonit 2011-2012.
Pas njoftimit të tij, Liverpuli reagoi menjëherë me një mesazh mbështetjeje në rrjetet sociale.
“Ke mbështetjen dhe ngrohtësinë tonë, Sër Keni”, shkroi klubi anglez.
Ndërkohë, lajmi vjen vetëm pak ditë pasi një tjetër emër i madh i historisë së Liverpulit, Kevin Kigan, bëri të ditur publikisht se kanceri me të cilin u diagnostikua në muajin janar ndodhet në stadin e katërt, faza më e avancuar e sëmundjes.
Lini një Përgjigje