Kombëtarja shqiptare e futbollit zbret sot në fushë përballë Izraelit në ndeshjen e parë nën drejtimin e trajnerit italian Maran. Për debutimin e tij në stolin kuqezi, tekniku ka zgjedhur t’u besojë kryesisht lojtarëve që kanë qenë pjesë e skuadrës edhe gjatë periudhës së drejtuar nga Silvinjo.
Sipas të dhënave të publikuara nga “Transfermarkt”, formacioni titullar i aktivizuar nga Maran ka një vlerë totale prej 51.7 milionë eurosh. Vlerat individuale të futbollistëve variojnë nga 600 mijë euro deri në 15 milionë euro.
Lojtari me vlerën më të ulët të kartonit në këtë formacion është mbrojtësi Arlind Ajeti, i cili vlerësohet me 600 mijë euro. Megjithatë, Ajeti mbetet një nga emrat historikë të përfaqësueses shqiptare, pasi është i vetmi futbollist kuqezi që është shpallur “Lojtari i Ndeshjes” nga UEFA në një Kampionat Europian, pas paraqitjes së tij në sfidën ndaj Rumanisë në “EURO 2016”.
Në anën tjetër, futbollisti me vlerën më të lartë në formacion është Anis Mehmeti, kartoni i të cilit vlerësohet në 15 milionë euro. Interesant është fakti se, pavarësisht vlerës së lartë në treg, kjo shënon ndeshjen e tij të parë si titullar me ekipin kombëtar shqiptar.
Përballja me Izraelin pritet të shërbejë si testi i parë për Maran dhe idetë e tij në krye të përfaqësueses, ndërsa vëmendja do të jetë e përqendruar edhe te paraqitja e futbollistëve që mbajnë peshën kryesore të skuadrës në aspektin sportiv dhe financiar.

Lini një Përgjigje