Kapiteni shqiptar i kombëtares së Zvicrës, Granit Xhaka, po tërheq vëmendje jo vetëm me sukseset në futboll, por tashmë edhe në botën e kinemasë. Mesfushori me origjinë shqiptare është një nga protagonistët e filmit të shkurtër “The Socceritos”, ku interpreton përkrah ikonës së kinemasë italiane, Terence Hill.

Projekti është realizuar nga kompania zvicerane “Denner” dhe u prezantua premierë në kinemanë “Corso” në Zurich, pak para nisjes së Kupës së Botës 2026. Në kastin e filmit bëjnë pjesë edhe sulmuesi i kombëtares zvicerane, Zeki Amdouni, si dhe modelja dhe futbollistja kroate, Ana Maria Marković.
Xhirimet janë zhvilluar në Spanjë, në lokacione të njohura ku janë realizuar edhe filmat klasikë të zhanrit “western”, duke i dhënë projektit një atmosferë të veçantë kinematografike.

Sipas mediave zvicerane, Xhaka prej vitesh konsiderohet një nga figurat më të rëndësishme të sportit helvet, falë lidershipit në fushë, personalitetit karizmatik dhe ndikimit të tij mediatik.
34-vjeçari mban rekordin për numrin më të madh të paraqitjeve me kombëtaren zvicerane, me mbi 140 ndeshje ndërkombëtare. Gjatë karrierës së tij, ai ka fituar trofe në Zvicër, Angli dhe Gjermani, ndërsa shkroi histori me Bajer Leverkusen duke udhëhequr skuadrën drejt titullit të parë kampion në Bundesliga, pa pësuar asnjë humbje gjatë sezonit.

Pas sukseseve në futbollin europian, Granit Xhaka duket se po eksploron një tjetër dimension të karrierës së tij, këtë herë para kamerave, në një rol që ka bërë jehonë në mediat sportive ndërkombëtare.

Lini një Përgjigje