Trajneri i ri i Kombëtares shqiptare, Rolando Maran, ka bërë publike listën e parë të lojtarëve të grumbulluar, duke nisur zyrtarisht aventurën e tij në krye të kuqezinjve.
Në prag të dy ndeshjeve miqësore ndaj Izraelit dhe Luksemburgut, tekniku italian ka vendosur t’i besojë pjesës më të madhe të grupit aktual të Kombëtares, por në listë nuk mungojnë as risitë dhe rikthimet e rëndësishme.
Vëmendjen më të madhe e merr ftesa për Luis Hasën, mesfushorin në pronësi të Napolit, i cili për herë të parë do të veshë fanellën kuqezi. Hasa ka qenë pjesë e të gjitha ekipeve zinxhirë të Italisë deri te U-21, por ka zgjedhur të përfaqësojë Shqipërinë në arenën ndërkombëtare.
Një tjetër emër i ri në listë është edhe portieri i Partizanit, Pano Qirko, i cili merr për herë të parë një ftesë nga Kombëtarja A.
Maran ka rikthyer gjithashtu në ekip Alen Sherrin, Simon Simonin, Andi Hadrojn, Taulant Seferin dhe Cristian Shpendin.
Ndërkohë, disa mungesa të rëndësishme janë diktuar nga dëmtimet. Jashtë listës kanë mbetur Thomas Strakosha, Ernest Muçi, Nazmi Gripshi dhe Rey Manaj.
Kombëtarja shqiptare do të nisë grumbullimin zyrtar më 1 qershor në “Shtëpinë e Futbollit”, ku do të përgatitet për dy testet miqësore.
Lista e plotë e lojtarëve:
Portierë:
Alen Sherri, Simon Simoni, Pano Qirko.
Mbrojtës:
Berat Gjimshiti, Arlind Ajeti, Ardian Ismajli, Klisman Cake, Bujar Pllana, Mario Mitaj, Naser Aliji, Stavro Pilo, Elseid Hysaj, Andi Hadroj.
Mesfushorë:
Kristjan Asllani, Ylber Ramadani, Juljan Shehu, Qazim Laçi, Luis Hasa, Adrion Pajaziti, Nedim Bajrami, Arbër Hoxha, Taulant Seferi, Anis Mehmeti.
Sulmues:
Mirlind Daku, Armando Broja, Myrto Uzuni, Cristian Shpendi.
Biletat për ndeshjet miqësore ndaj Izraelit dhe Luksemburgut mund të blihen online në ebileta.al, si edhe pranë stadiumit “Air Albania”.

Lini një Përgjigje