Mesfushori i Kombëtares shqiptare, Nedim Bajrami, është fotografuar ditën e sotme në Tiranë, teksa ka lënë përkohësisht Skocinë, ku aktivizohet me skuadrën e Renxhërs në Premiership.
Arsyeja e ardhjes së 27-vjeçarit në kryeqytet lidhej me festën e Kurban Bajramit. Në orët e para të mëngjesit, Bajrami është parë në sheshin kryesor të Tiranës, ku mori pjesë në faljen e namazit, si pjesë e besimit të tij fetar.

Futbollisti shqiptar ka një kontratë me Renxhërs deri në verën e vitit 2028, por sezoni i fundit nuk rezultoi ndër më pozitivët për të në aspektin sportiv. Bajrami zhvilloi 19 ndeshje me klubin skocez, duke regjistruar 2 gola dhe 1 asist.
Ndërkohë, me fanellën kuqezi, mesfushori numëron 43 paraqitje. Gjatë periudhës nën drejtimin e ish-trajnerit Silvinjo, ai konsiderohej një nga lojtarët më të besuar të teknikut brazilian.
Lini një Përgjigje