Kapiteni i Argjentinës, Lionel Mesi, nuk i mbajti dot lotët pasi shënoi golin e tij të parë në Kupën e Botës, duke ngjallur reagime të shumta mes tifozëve në mbarë botën.
Sipas raportimeve të “The Sun”, emocionet e forta të futbollistit lidhen me shqetësimet për gjendjen shëndetësore të babait të tij, Horge Horacio Mesi.
Horge Mesi, 68 vjeç, ka një rol të rëndësishëm në jetën profesionale të djalit të tij, pasi prej vitesh vepron si agjent dhe menaxher i aktiviteteve të tij komerciale.
Ngjarja mori vëmendje të madhe të martën në mbrëmje, kur Mesi u përlot në fushën e stadiumit “Arrowhead” në Kansas City, pak çaste pasi realizoi një tregolësh në fitoren 3-0 të Argjentinës ndaj Algjerisë në ndeshjen hapëse të turneut.
Paraqitja e shkëlqyer e 38-vjeçarit e vendosi atë menjëherë mes pretendentëve për “Këpucën e Artë” të kampionatit.
Megjithatë, sipas raportimeve, pas reagimit emocional të Mesit qendron shqetësimi për shëndetin e babait të tij.
Pas përfundimit të ndeshjes, Mesi deklaroi:
“Sinqerisht, është diçka krejtësisht e palidhur me sportin. Kanë qenë disa ditë të vështira dhe të ndërlikuara.”
Më vonë, gazetari Eduardo Feinman dha detaje mbi këtë çështje gjatë një transmetimi në Radio Mitre, një nga mediat më të ndjekura në Argjentinë.
“Ka të bëjë me babain e tij. Babai i tij nuk është në gjendje të mirë shëndetësore. Kjo situatë vazhdon prej disa muajsh, që nga viti i kaluar. Gjatë kësaj jave pati disa zhvillime që e përkeqësuan disi gjendjen e tij dhe Mesi po përballet me këtë sfidë personale”, tha Feinman.
Lini një Përgjigje