Vedat Muriqi pritet të jetë një nga emrat më të lakuar gjatë merkatos së verës. Mediat turke raportojnë se sulmuesi i Kosovës është shumë pranë rikthimit te Fenerbahçe, klub ku ai shkëlqeu para transferimit në Serinë A.
Sipas gazetarit Sezgin Gelmez të “HT Spor”, mes Muriqit dhe përfaqësuesve të lidhur me klubin është arritur një marrëveshje paraprake. Burimet bëjnë të ditur se tashmë mbetet vetëm finalizimi formal i kontratës, sapo të qartësohet situata drejtuese në klubin turk.
Çështja e transferimit të Muriqit lidhet ngushtë edhe me zgjedhjet presidenciale te Fenerbahçe. Mediat turke raportojnë se merkatoja është kthyer në një nga temat kryesore të fushatës së kandidatëve për president, Aziz Jildirim dhe Hakan Safi, të cilët po punojnë për afrime të rëndësishme në skuadër.
Sipas “HT Spor”, Aziz Jildirim ka arritur një marrëveshje me Muriqin dhe, në rast se fiton zgjedhjet, pritet të finalizojë transferimin me nënshkrimin zyrtar të kontratës.
Ndërkohë, raportimet sugjerojnë se edhe kandidati tjetër, Hakan Safi, mbështet idenë e afrimit të sulmuesit të Majorkës, çka e bën rikthimin e Muriqit te Fenerbahçe një mundësi reale, pavarësisht rezultatit të zgjedhjeve në klub.
Lini një Përgjigje