
Pas Ligës së Europës që u fitua nga Aston Vila, edhe Liga e Konferencës flet anglisht. Kristal Palas ka mposhtur Rajo Vajekanon e Ivan Balliut me rezultatin minimal 1-0 dhe ka fituar për herë të parë në histori një trofe europian dhe do të marrë pjesë sezonin e ardhshëm në Ligën e Europës.
Skuadra angleze e nisi më mirë takimin, duke ushtruar presion në minutat e para, por me kalimin e kohës Rajo Vajekano arriti të balancojë lojën dhe të krijojë rastet e para të rrezikshme.
Në minutën e 25-të, Alemao ishte pranë golit për spanjollët pas një krosimi të De Frutos, por goditja e tij fluturimthi përfundoi ngjitur me shtyllën. Rajo rrezikoi sërish në minutën e 39-të me Unai Lopez, por tentativa e tij shkoi jashtë portës së Kristal Palas.
Pak para fundit të pjesës së parë, londinezët iu afruan avantazhit me Miçëll, i cili u shërbye saktë nga Uarton, por goditja me kokë përfundoi jashtë. Pjesa e parë u mbyll në barazim pa gola.
Në fillimin e pjesës së dytë, Kristal Palas krijoi menjëherë një tjetër rast me Mateta, por mbrojtësi Lejeun ndërhyri në momentin vendimtar duke larguar topin.
Goli i finales erdhi në minutën e 51-të. Pas një goditjeje të Uarton, portieri Batala grushtoi topin, por Mateta përfitoi nga rikthimi dhe e dërgoi në rrjetë, duke kaluar në avantazh ekipin e drejtuar nga Oliver Glasner.
Pas golit, Kristal Palas mori kontrollin e lojës dhe kërkoi të dyfishonte rezultatin. Një nga momentet më spektakolare erdhi pas një goditjeje dënimi të Zheremi Pino, ku topi preku dy herë shtyllën. Në vazhdim të aksionit, Ratiu ishte pranë autogolit, pasi tentativa e tij për largimin e topit përfundoi në traversë.
Vetëm pak sekonda më vonë, portieri Batala mbajti në lojë Rajo Vajekanon duke ndalur një tjetër rast të pastër të Mateta. Edhe skuadra spanjolle pati mundësitë e saj në minutat e mbetura, veçanërisht me Ratiun, por pa arritur të gjejë golin e barazimit.
Me këtë sukses, Kristal Palas bëhet skuadra e dytë angleze që fiton një trofe europian këtë sezon, pas triumfit të Aston Vilës në Ligën e Europës. Gjithashtu, londinezët janë ekipi i tretë anglez që fiton Ligën e Konferencës pas Uest Hemit në vitin 2023 dhe Çelsit në vitin 2025.
Lini një Përgjigje