
Vllaznia ka zyrtarizuar Migen Memellin si trajnerin e ri të skuadrës kuqeblu. Drejtori sportiv Elvis Plori ka prezantuar teknikun ashtu si edhe zëvendëstrajnerin e ri, Ndriçim Shtubinën, i cili do ta shoqërojë në këtë aventurë në pankinën e kuqebluve.
43-vjeçari i lindur në Lushnjë do të marrë në dorë “frenat” e skuadrës për edicionin e ri futbollistik dhe synimi është rikthimi te trofetë.
Memelli ka qenë “timonier” i Skënderbeut, ndërsa ka drejtuar edhe Laçin. Kujtojmë që nga Vllaznia u largua para disa javësh Goce Sedloski.
Ish-trajneri i Skënderbeut dha intervistën e tij të parë për mediat si trajner i kuqebluve ku u shpreh:
“Dua të falenderoj klubin, presidentin dhe drejtorin Plorin që më besuan. Një punë shumë e vështirë të jesh trajner i Vllaznisë. Një punë që më është ngarkuar me përgjegjësi shumë të madhe. Do të mundohem të jem njeri i ndershëm, punëtor që të përligj besimin dhe objektivat që ka Vllaznia. Së pari duhet të formojë një skuadër kompetitive dhe pastaj të hedhim hapa të vegjël e të sigurtë.
Nga nesër fillojmë punën për të bërë një përzgjedhje sa më të mirë. Shkodra meriton një skuadër të tillë që ka dëshirë të ecë përpara. Në 4 vitet e fundit, Vllaznia ka fituar 2 herë Kupën dhe në sajë të kësaj vazhdimësie ne duhet të bëjmë të njëjtën gjë.
Duke qenë se jam në fillimet e karrierës, hapat hidhen gradualisht. Besoj që një periudhë timen e kam kaluar me Laçin dhe Skënderbeun. Është një punë me shumë përgjegjësi.
Mesazh tifozëve të cilët kanë patur pakënaqësi me ju?
Përplasjet që kemi patur nga e kaluara i takojnë futbollit, janë fërkime të vogla. Komuniteti i futbolli është një familje shumë e madhe. Ne tashmë jemi një familje. Jam i ndërgjegjshëm dhe i përgjegjshëm te puna ime dhe kjo është ajo që i premtoj atyre.
Nuk kemi folur akoma me presidentin, pasi ndodhet jashtë. Kur të kthehet do të bisedojmë nga afër.
Titulli kampion dhe merkatoja?
Fillimisht ndërtimi i skuadrës dhe më pas gjërat e tjera. Kemi një numër lojtarësh, do t’i shikojmë me kujdes, do t’i diskutojmë. Diskutimet do të jenë në të mirë të skuadrës.
Si e prisni bashkëpunimin me dy ikona të Vllaznisë, Plorin dhe Shtubinën?
Duke qenë se janë të dy modele suksesi, bashkëpunimi dhe bisedat janë konstruktive dhe nuk do të mungojë komunikimi dhe puna për Vllazninë.
Lini një Përgjigje