
Fundi i sezonit po afron dhe është një kohë vendimesh edhe për Elseid Hysajn dhe klubin e Lacios. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare është kthyer përsëri mes titullarëve në radhët e bardhekaltërve duke u treguar shpeshherë vendimtar me lojën e tij.
Por përtej kësaj, gjatë verës palët duhet të marrin një vendim rreth të ardhmes. Hysaj ka një kontratë deri në verën e vitit 2026 me Lacion dhe një rrogë prej rreth 2,8 milionë eurosh në sezon, nga të cilat 2 milionë euro janë neto. Kjo cilësohet një rrogë e lartë për Lacion, duke llogaritur se shpesh Hysaj është vlerësuar si rezervë luksi e për më tepër në pjesën e parë të sezonit u la jashtë skuadre.
Meqë lojtari ka bërë të qartë se nuk do të heqë dorë nga një pagë e tillë, te Lacio duhet të marrin vendimin nëse do të mbajnë Hysajn në vitin e fundit të kontratës, apo ta ndihmojnë të gjejë një sistemim tjetër për të ardhmen e lojtarit.
Nëse Baroni do ta mbajë në radhët e skuadrës, mediat italiane pranojnë se Lacio do t’i propozojë Hysajt një zgjidhje “alla Milik”. Ata do të kërkojnë që të zgjatin marrëveshjen me mbrojtësin, duke shtrirë në kohë pagesën që i detyrohen atij. Kështu veproi Juventusi me sulmuesin e dëmtuar, duke i zgjatur kontratën nga një vit i mbetur, në dy, për t’i paguar në total të njëjtën shifër që i detyrohej vetëm për vitin e ardhshëm.
Lini një Përgjigje