TAGS-AT E JAVËS

Sport14 Korrik 2026, 17:32

Këshilla e Maradonës për Herri Kejn, a do t’i vlejë sulmuesit anglez për ndeshjen ndaj Argjentinës?

Shkruar nga Pamfleti
Këshilla e Maradonës për Herri Kejn, a do t’i vlejë
Diego Armando Maradona-Herri Kejn

A do t’i rikthehet Herri Kejn këshillës së Diego Maradonës përpara përballjes së Anglisë me Argjentinën? Është një histori që daton më 22 tetor 2017, kur legjenda argjentinase u takua me sulmuesin anglez në stadiumin "Wembley", pak para ndeshjes së Premier Ligës mes Totenhemit dhe Liverpulit.

Në atë periudhë, Totenhemi luante ndeshjet si vendas në "Wembley", ndërsa priste përfundimin e stadiumit të ri. Maradona ndodhej në Londër për ceremoninë e çmimeve "FIFA The Best", që do të zhvillohej një ditë më vonë. Ai shoqërohej nga Osvaldo Ardiles, ish-futbollisti i njohur argjentinas dhe ambasador i klubit londinez.

Në pankinën e Toenhemit ishte Mauricio Poçetino, një tjetër argjentinas, i cili kishte qenë shok skuadre dhe madje edhe shok dhome me Maradonën te Newell’s Old Boys në vitin 1993.

Ishte pikërisht Poçetino ai që prezantoi Maradonën me kapitenin Hugo Loris dhe zëvendëskapitenin Herri Kejn. Takimi zgjati vetëm pak çaste, pasi futbollistët duhej të ktheheshin në dhomat e zhveshjes për përgatitjet e fundit.

Megjithatë, ato pak sekonda mjaftuan që Maradona t’i jepte Kejnit një këshillë të vlefshme. Legjenda argjentinase i sugjeroi sulmuesit anglez të ndryshonte mënyrën e finalizimit, duke synuar më shpesh shtyllën e dytë me goditje të kryqëzuara, në vend që të godiste vazhdimisht drejt shtyllës së parë.

Sipas Maradonës, portierët analizojnë me kujdes sulmuesit përmes videove dhe arrijnë të parashikojnë drejtimin e goditjeve të tyre. Pikërisht për këtë arsye, ndryshimi i mënyrës së finalizimit është një armë e rëndësishme për të surprizuar kundërshtarët.

Këshilla duket se dha efekt menjëherë. Po atë ditë, Totenhemi mposhti Liverpulin me rezultatin 4-1, ndërsa Herri Kejn ishte protagonisti absolut. Sulmuesi anglez shënoi një gol dhe dhuroi një asist brenda 12 minutave të para, përpara se të realizonte edhe një gol tjetër në pjesën e dytë.

diego armando maradona herri kejn sulmuesi anglez

Lini një Përgjigje