Elseid Hysaj pritet të jetë një nga emrat më të përfolur të merkatos së verës, pasi mbrojtësi i Kombëtares shqiptare është aktualisht pa skuadër pas përfundimit të kontratës me Lacion.
Shkodrani është tashmë lojtar i lirë dhe po shqyrton alternativat për të vijuar karrierën, ndërsa interesi për shërbimet e tij ka nisur të shfaqet nga klubet italiane.
Sipas raportimeve të "Sky Sport", Leçe e ka vendosur Hysajn në krye të listës së objektivave për repartin e mbrojtjes. Klubi verdhekuq synon të përfitojë nga eksperienca e 31-vjeçarit, duke besuar se ai mund të jetë një element kyç në objektivin për të siguruar edhe një tjetër sezon në elitën e futbollit italian.
Leçe vjen pas largimit të mesfushorit shqiptar Ylber Ramadani dhe drejtuesit shpresojnë që Hysaj të pranojë projektin e tyre për sezonin e ri.
Nëse palët arrijnë një marrëveshje, Hysaj do të veshë fanellën e klubit të katërt në karrierën e tij në Serinë A, pas eksperiencave me Empolin, Napolin dhe Lacion.
Lini një Përgjigje