Presioni ndaj Xhani Infantinos po rritet, pasi disa federata europiane po shqyrtojnë mundësinë e mbështetjes së një kandidati në zgjedhjet e ardhshme për president të FIFA-s.
Infantino konfirmoi në Kongresin e FIFA-s në prill se do të kërkojë një mandat të tretë dhe synimi i tij është të rizgjidhet pa kundërshtar. Megjithatë, sipas raportimeve të “talkSPORT”, brenda UEFA-s ekziston mbështetje për kandidatë të tjerë.
Tensionet pas çështjes Balogun
Debati është ndezur edhe më shumë pas zbulimit se Infantino kishte marrë një telefonatë nga presidenti amerikan Donald Trump , i cili i kërkoi të rishikonte kartonin e kuq të sulmuesit amerikan, Folarin Balogun. Më pas, pezullimi i lojtarit u anulua dhe ai ishte për ndeshjen e fazës së 1/8-ave kundër Belgjikës.
UEFA reagoi ashpër, duke akuzuar FIFA-n se kishte “kaluar vijën e kuqe”. Infantino u mbrojt duke theksuar se vendimi ishte marrë nga komisioni disiplinor i FIFA-s, i cili vepron në mënyrë të pavarur. Megjithatë, FIFA ende nuk ka dhënë një shpjegim të detajuar për arsyet e vendimit.
Kush mund ta sfidojë Infantinon?
Emri më i përfolur është ai i presidentit të UEFA-s, Aleksandër Ceferin, por slloveni pritet të vazhdojë në postin aktual dhe nuk kërkon përballje direkte me Infantinon, pavarësisht përplasjeve të mëparshme mes tyre.
Për këtë arsye, disa federata europiane, përfshirë Belgjikën dhe Poloninë, po shohin si alternativë presidentin e PSG-së, Naser Al-Khelaifi. Megjithatë, sipas raportimeve, ai nuk ka ambicie të kandidojë dhe do të duhej bindje e madhe për të hyrë në garë.
Në diskutime është përmendur edhe pronari i Legias së Varshavës, Dariusz Mioduski, i cili gëzon mbështetje nga disa drejtues të futbollit në Bosnje, Norvegji, Suedi, Gjermani dhe Spanjë. Nëse Al-Khelaifi nuk kandidon, Polonia pritet të mbështesë Mioduskin.
Emra të tjerë në skenë
Jashtë UEFA-s, si kandidatë të mundshëm përmenden edhe presidenti i CONCACAF-it, Viktor Montaliani, si dhe presidenti i CAF-it, Patris Motsepe.
Burime pranë Montalianit thonë se fokusi i tij aktual është rizgjedhja në CONCACAF, por dihet se ai ka ambicie të drejtojë FIFA-n në të ardhmen. Ndërsa Motsepe konsiderohet aleat i ngushtë i Infantinos dhe më shumë gjasa ka të presë vitin 2031, kur zvicerani nuk do të ketë më të drejtë kandidimi.
Pse është e vështirë të sfidohet Infantino?
Një nga pengesat kryesore për federatat europiane është fakti se planet e Infantinos për zgjerimin e Kupës së Botës në 64 skuadra, si dhe zgjerimi i Kupës së Botës për Klube ku ndeshjet do të zhvillohen çdo 2 vjet, gëzojnë mbështetje të gjerë nga federatat afrikane, aziatike dhe ato të CONCACAF-it.
Për momentin nuk ka sinjale për një mocion mosbesimi ndaj Infantinos. Shumica e federatave e shohin vetë zgjedhjen si votë besimi, ndaj gjithnjë e më shumë anëtarë të UEFA-s po kërkojnë një kandidat alternativ, në mënyrë që presidenti aktual të mos marrë një mandat të ri pa debat real.
Kur zhvillohen zgjedhjet?
Kandidaturat për zgjedhjet presidenciale të FIFA-s mund të dorëzohen deri më 18 nëntor, ndërsa votimi do të zhvillohet po më 18 nëntor në kryeqytetin e Marokut, Rabat."talkSPORT", përshtati në shqip Pamfleti
Lini një Përgjigje