Rama merr mesazh të fortë nga BE për protestat...
Shqipëria ka hedhur sot një tjetër hap në procesin e integrimit europian. Në Bruksel u zhvillua konferenca e 9-të ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, ku u zyrtarizua mbyllja e tre kapitujve të parë negociues: Kapitulli 25 – Shkenca dhe Kërkimi, Kapitulli 26 – Arsimi dhe Kultura dhe Kapitulli 30 – Marrëdhëniet me Jashtë.
Komisionerja e Bashkimit Europian për Zgjerimin, Marta Kos, e ka cilësuar këtë një moment të rëndësishëm për vendin dhe një hap domethënës në procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian.
Në konferencën e 9-të ndërqeveritare Shqipëri-BE, Kos tha se mbyllja e Kapitujve 25, 26 dhe 30 u bë e mundur falë progresit të Shqipërisë në përmbushjen e pikave të ndërmjetme për sundimin e ligjit, ndërsa theksoi se puna për reformat duhet të vijojë.
“Sot mbyllëm tre kapitujt e parë me Shqipërinë. Është një moment i madh për vendin, është ‘Super e Marta’ për zgjerimin. I mbyllëm kapitujt për arsimin, kërkimin shkencor dhe marrëdhëniet e jashtme, ndërsa kanë mbetur edhe 30 të tjerë. Shqipëria është pjesë e familjes europiane dhe ka qenë në përputhje të plotë me Bashkimin Europian. Më shumë se 50 mijë studentë kanë marrë pjesë në programin Erasmus Plus. Përgëzime miqve shqiptarë, sepse kjo u bë e mundur pasi Shqipëria përmbushi pikat e ndërmjetme për sundimin e ligjit. Ky është një hap i ndërmjetëm, që do të thotë se reformat duhet të vazhdojnë dhe të thellohen. Shqipëria ecën përpara drejt objektivit ambicioz për përfundimin e negociatave deri në fund të vitit 2027”, deklaroi Kos.
Komisionerja europiane u ndal edhe te mbështetja e qytetarëve shqiptarë për anëtarësimin në Bashkimin Europian, duke iu referuar një sondazhi të fundit.
“Ne inkurajojmë që progresi të vazhdojë në drejtësi, antikorrupsion dhe luftën kundër krimit të organizuar. Ne këmbëngulim për reforma rrënjësore. Sondazhi i fundit tregon se në Shqipëri 92 për qind e qytetarëve janë në favor të anëtarësimit, 94 për qind mendojnë se anëtarësimi do të sjellë më shumë përfitime dhe 93 për qind i besojnë Bashkimit Europian. Reformat kanë sukses vetëm nëse dëgjohen të gjithë ata që preken prej tyre. Unë do të jem krah jush deri në fund të mandatit tim”, u shpreh Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos.
Ndërsa kryeministri Rama tha se mbyllja e tre kapitujve përfaqëson një tjetër moment të rëndësishëm në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
“Ajo çfarë ndodhi tani shënon vërtet një gur kilometrik tjetër në rrugëtimin e pakthyeshëm të Shqipërisë në BE. Sapo ramë dakord të mbyllim tre kapituj të rëndësishëm negociatorë. Ky nuk është thjesht një hap, por një vlerësim që Shqipëria po ecën përpara, që reformat po japin rezultate. E sotmja është e rëndësishme edhe sepse thekson një mesazh mjaft të rëndësishëm: Shqipëria jep rezultate, BE jep rezultate. Shqipëria ecën përpara dhe BE reagon për këtë”, tha Rama.
I pyetur për debatet që projekti i Zvërnecit ka shkaktuar edhe në Parlamentin Europian, Rama u shpreh se Komisioni Europian është i informuar për çdo zhvillim dhe se nuk ekziston asnjë arsye për shqetësim.
Por mesazhi i fortë erdhi nga Marta Kos: "Edhe para protestave kemi rënë dakord që të shfuqizohen amendamentet për vitin 2024 për zonat e mbrojtura dhe investimet strategjike, këto do të bëheshin për kapitullin 27. Do të inkurajoja autoritetet sa më shpejt që të jetë e mundur. Protestat janë pjesë e proceseve demokratike dhe mënyra se si vendet i trajtojnë këto protesta janë pjesë e proceseve demokratike. Është ajo çfarë thashë, procesi i anëtarësimit është proces në vazhdimësi. Shqipëria duhet të harmonizojë legjislacionin për të cilin ramë dakord".
Na duhet të shfuqizojmë ligjin për investimet strategjike, sepse kemi disa kohë që kemi rënë dakord dhe po punojmë ngushtësisht për atë që do ta zëvendësojë. Se ligji e ka përmbushur misionin–tha Rama. Po ashtu do të shfuqizohet edhe ligji i 2024 për zonat e mbrojtura.–siç tha Marta Kos. ___________________________________ Shënim: Po mirë mo, që ligji i investimeve strategjike e ka përmbushur misionin, e dimë, se elbete Rama s'ka lënë mafioz, oligark, miq partie apo prestanome pa i bërë investitorë strategjik, dhe tashmë s'ka ça jep më, vetëm Sazani dhe Zvërneci kishte ngelur; por problemi është se Rama hiqet sikur bën ligje për në BE. Në 2024 kur bërë ligjin për të ndërtuar në zona të mbrojtura, nuk këshillohesh me BE ky, nuk e dinte që ai ligj binte ndesh me standartet e BE? Si kështu? Bëri ligjin në 2024, shkatërroi zona të mbrojtura dhe tani bën sikur ka ligjin më të mirë për zonat e mbrojtura, sikur e do shumë natyrën dhe BE.