
Kombëtarja shqiptare e futbollit do të zhvillojë dy ndeshje miqësore gjatë muajit qershor, si pjesë e përgatitjeve për pjesëmarrjen në Ligën e Kombeve, e cila nis në shtator. Sipas informacioneve të bëra publike, të dyja përballjet pritet të zhvillohen në Tiranë.
Në një bashkëbisedim me mediat, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka, dha detaje mbi kundërshtarët e mundshëm, duke theksuar se bëhet fjalë për skuadra që nuk kanë arritur të kualifikohen në Kampionatin Botëror.
Sipas Dukës, një nga ndeshjet është pranë finalizimit, ndërsa për tjetrën vijojnë negociatat.
“Miqësoret e qershorit? E para është me Luksemburgun në Tiranë, por nuk e kemi firmosur ende marrëveshjen me të. Pastaj jemi në diskutime me shumë ekipe për ndeshjen tjetër po në Tiranë. Mund të jetë Kili, Danimarka dhe ndonjë skuadër tjetër,” deklaroi ai.
Kreu i FSHF-së sqaroi gjithashtu se disa opsione të përfolura nuk janë pjesë e bisedimeve aktuale.
“Italia jo, as nuk kemi biseduar me Italinë. Këta janë ata që po diskutojmë. Nuk kemi biseduar për një miqësore me Kosovën,” shtoi Duka.
Lini një Përgjigje