TAGS-AT E JAVËS

Sport15 Mars 2026, 20:46

Dinamo vijon të zhgënjejë, mundet 0-1 nga Teuta; Ilir Daja pranon krizën e rezultateve

Shkruar nga Pamfleti
Dinamo vijon të zhgënjejë, mundet 0-1 nga Teuta; Ilir Daja pranon
Ilir Daja

Dinamo vazhdon serinë e rezultateve zhgënjyese në vitin 2026, teksa u mposht me rezultatin 0-1 nga Teuta në stadiumin “Air Albania”. Në një sfidë ku blutë duhej të reagonin për të rikuperuar terren në luftën për katërshen, skuadra e drejtuar nga Ilir Daja krijoi pak rrezik real dhe u ndëshkua nga një episod në pjesën e parë.

Goli vendimtar i takimit erdhi në minutën e 31-të, kur Arifi përfitoi nga një aksion i nisur nga e majta nga Ismajli dhe me qetësi dërgoi topin në rrjetë. Episodi u verifikua edhe nga VAR për pozicion jashtë loje, por goli u konsiderua i rregullt.

Dinamo pati disa tentativa gjatë pjesës së parë, me Bregun që provoi nga goditja e dënimit dhe një rast tjetër që përfundoi në shtyllë, por aksioni u anulua për pozicion jashtë loje. Megjithatë, blutë nuk arritën të konkretizonin rastet dhe u drejtuan në pushim në disavantazh.

Në pjesën e dytë, trajneri Ilir Daja provoi të ndryshonte rrjedhën e takimit me disa zëvendësime, duke futur në fushë Mustafën, Farrukun dhe Lorranin për të rritur forcën në sulm. Pavarësisht presionit në minutat e fundit, Dinamo nuk arriti të gjejë golin e barazimit.

Një nga rastet më të mira për blutë erdhi në minutën e 82-të, kur Mustafa goditi me kokë pas një harkimi nga krahu i djathtë, por topi nuk gjeti kuadratin. Ndërkohë, në shtesë Teuta mbeti me një lojtar më pak, pasi Runei u ndëshkua me karton të kuq pas ndërhyrjes ndaj Bregut, vendim i marrë pas rishikimit me VAR.

Megjithatë, rezultati nuk ndryshoi dhe Teuta arriti të marrë tre pikë të rëndësishme.


Pas ndeshjes, trajneri i Dinamos Ilir Daja pranoi momentin e vështirë që po kalon skuadra, duke theksuar mungesën e efikasitetit në fazën sulmuese.

Sipas tij, Dinamo kontrolloi lojën në disa momente, por u ndëshkua nga një episod i vetëm.

Ta humbësh ndeshjen me një episod, kur në zonë kishim më shumë mbrojtës se kundërshtari, të vjen keq. Kërkuam të reagonim dhe ndryshuam edhe në sulm, por u përballëm me një mbrojtje me bllok të ulët”, u shpreh Daja.

Tekniku theksoi gjithashtu se skuadra po vuan edhe nga ana psikologjike dhe nga mungesa e lojtarëve në formën më të mirë.

Kemi krizë rezultatesh, nuk do të thoja krizë loje. Kemi disa lojtarë jashtë formës dhe probleme psikologjike. Na mungojnë lojtarët që shkojnë te goli dhe kjo po na penalizon”, shtoi ai.

Daja pranoi se objektivi për të kapur katërshen është bërë më i vështirë pas këtyre rezultateve.

Me rezultatet që po prodhojmë, katërshja është bërë e vështirë. Do të bëjmë maksimumin deri në fund për të ndryshuar situatën”, deklaroi trajneri i Dinamos.

ilir daja teuta dinamo

Lini një Përgjigje