
Ndeshja mes Flamurtarit dhe Elbasanit, e zhvilluar në stadiumin “Flamurtari” në Vlorë, u mbyll mes tensioneve dhe incidenteve që përfshinë si tribunat ashtu edhe ambientet e brendshme të stadiumit.
Sipas raportimeve, në përfundim të sfidës futbollistët e Elbasanit iu drejtuan tribunës ku ndodheshin tifozët e tyre për të festuar. Më pas, teksa skuadra po largohej drejt dhomave të zhveshjes, situata u tensionua mes tifozëve elbasanas dhe forcave të policisë të pranishme në stadium, duke çuar për disa momente në përplasje mes tyre.
Në përpjekje për të qetësuar situatën, drejtori i Flamurtarit, Alfred Ferko, iu afrua tribunës ku ndodheshin tifozët e Elbasanit. Ndërkohë, nga tribuna e tifozëve vendas pati edhe hedhje sendesh dhe fishekzjarrësh në drejtim të tifozëve kundërshtarë.
Incidentet vijuan edhe në ambientet e brendshme të stadiumit. Raportohet se kapiteni i Elbasanit, Musta, ka provokuar stafin dhe futbollistët e Flamurtarit, të cilët po largoheshin drejt dhomave të zhveshjes. Situata më pas degjeneroi në përplasje mes lojtarëve, ku sipas burimeve pati edhe dhunë fizike.
Ndërhyrja e forcave të rendit ishte e menjëhershme për të ndarë palët dhe për të qetësuar situatën. Sipas pamjeve të publikuara, trajneri Gvozdenoviç u pengua nga policia të afrohej për të qetësuar futbollistët.
Për shkak të tensioneve, skuadra e Elbasanit u largua nga stadiumi “Flamurtari” më shumë se një orë pas përfundimit të ndeshjes. Forcat e policisë qëndruan në gatishmëri rreth stadiumit deri në normalizimin e situatës dhe më pas u dha drita jeshile për largimin e ekipit.
Mësohet se policia e Vlorës shoqëroi autobusin e ekipit të Elbasanit deri në zonën e Levanit. Më pas, eskortimi vijoi nga një patrullë e policisë së Fierit deri në dalje të Lushnjës, me qëllim shmangien e incidenteve të mundshme gjatë rrugës.
Lini një Përgjigje