
Barcelona ka përfituar maksimalisht nga hapi fals i Realit të Madridit, duke marrë një fitore bindëse 4-1 ndaj Espanjolit në derbin katalanas dhe duke u shkëputur me nëntë pikë në vendin e parë të La Ligës.
Skuadra e drejtuar nga Hansi Flik e nisi takimin në mënyrë agresive, duke kontrolluar ritmin dhe posedimin që në minutat e para. Epërsia erdhi shpejt, kur Ferran Torres realizoi me kokë pas një goditjeje nga këndi të ekzekutuar saktë nga talenti i ri Lamin Jamal.
Bashkëpunimi mes dy lojtarëve rezultoi përcaktues edhe për golin e dytë. Jamal dhuroi një asist të shkëlqyer, ndërsa Torres nuk gaboi përballë portës, duke dyfishuar shifrat dhe duke i dhënë qetësi Barcelonës para përfundimit të pjesës së parë.
Në fraksionin e dytë, Espanjoli tentoi të rikthehej në lojë. Pol Lozano realizoi një gol spektakolar nga distanca, duke ngushtuar përkohësisht diferencën dhe duke rihapur ndeshjen.
Megjithatë, reagimi i Barcelonës ishte i menjëhershëm. Lamin Jamal kurorëzoi paraqitjen e tij me një gol pas një aksioni të shpejtë, ndërsa në minutat e fundit Markus Rashford vulosi rezultatin përfundimtar 4-1.
Me këtë fitore, Barcelona konsolidon pozitat në krye të kampionatit dhe vijon serinë pozitive. Në krahun tjetër, Espanjoli thellon krizën e rezultateve, duke mbetur pa fitore prej disa javësh në La Liga.
Lini një Përgjigje