
Liverpuli është rikthyer te fitorja në Premier Ligë pas një periudhe prej tre javësh pa sukses, duke mposhtur Fulhamin me rezultatin 2-0 në “Anfield Road”, në ndeshjen e vlefshme për javën e 32-të.
Takimi u zhbllokua në minutën e 36-të. Pas një asisti nga Florian Uirc, talenti 17-vjeçar Rio Ngumoha realizoi një gol të bukur me një goditje të saktë brenda zonës, duke kaluar në avantazh skuadrën vendase.
Vetëm katër minuta më vonë, Liverpuli dyfishoi shifrat. Mohamed Salah finalizoi me të majtën një aksion të ndërtuar nga Kodi Gakpo, duke çuar rezultatin në 2-0 dhe duke mbyllur pjesën e parë me epërsinë e sigurt për vendasit.
Në pjesën e dytë, Fulhami u shfaq më kërkues dhe arriti të dërgonte topin në rrjetë me Sasha Lukiç, por goli u anulua për pozicion jashtë loje. Londinezët tentuan sërish në minutën e 78-të me Emili Smith Roue, por goditja e tij kaloi shumë pranë shtyllës së djathtë.
Edhe Liverpuli pati mundësinë për të thelluar rezultatin në minutën e 81-të, por tentativa e Aleksis Mek Allister përfundoi jashtë kuadratit, pranë shtyllës.
Me këtë fitore, Liverpuli ngjitet në kuotën e 53 pikëve, duke mbajtur vendin e pestë në renditje, pozicion që këtë sezon siguron një vend në Champions League për shkak të kuotës së shtuar për Anglinë. Nga ana tjetër, Fulhami mbetet në vendin e 11-të me 44 pikë.
Lini një Përgjigje