Çabi Alonso do të jetë trajneri i ri i Çelsit. Sipas raportimeve, klubi londinez dhe tekniku spanjoll kanë arritur një marrëveshje në parim për një kontratë 4-vjeçare, pas diskutimeve të zhvilluara mbi projektin sportiv dhe strategjinë e merkatos për sezonin e ardhshëm.
Aktualisht, palët po punojnë për të mbyllur disa detaje strukturore dhe administrative përpara se marrëveshja të zyrtarizohet publikisht. Megjithatë, vullneti i përbashkët për ta finalizuar sa më shpejt operacionin konsiderohet shumë i fortë.
Çelsi mbeti pa trajner në muajin prill, pas shkarkimit të Liam Rosenior, i cili qendroi vetëm 106 ditë në krye të skuadrës londineze si pasues i Enzo Mareskës. Që prej largimit të tij, emri i Çabi Alonsos ka qenë objektivi kryesor i drejtuesve të klubit.
Nga suksesi te Leverkuseni te eksperienca e vështirë te Reali i Madridit
44-vjeçari konsiderohet një nga trajnerët më premtues të brezit të ri. Alonso fitoi vlerësime të mëdha gjatë aventurës së tij te Bajer Leverkusen, ku arriti të transformojë skuadrën gjermane, duke e çuar drejt fitimit të kampionatit dhe kupës në Gjermani, pa pësuar asnjë humbje në Bundesligë gjatë sezonit 2023-2024. Po ashtu, ai drejtoi Leverkusenin edhe drejt finales së Ligës së Europës.
Pas suksesit në Gjermani, Alonso mori drejtimin e Realit të Madridit, por aventura në “Santiago Bernabeu” nuk rezultoi sipas pritshmërive. Trajneri spanjoll u largua nga madrilenët pas më pak se tetë muajsh në krye të skuadrës.
Pavarësisht faktit se Çelsi nuk do të marrë pjesë në kompeticionet europiane sezonin e ardhshëm, kjo nuk ka ndikuar në vendimin e Alonsos për të pranuar projektin e klubit londinez.
Në garë për stolin e Çelsit përmendeshin edhe emra si Andoni Iraola dhe Oliver Glasner, por përgjigjja e shpejtë dhe pozitive e Çabi Alonsos duket se ka mbyllur përfundimisht çështjen e trajnerit të ri te “Blutë” e Londrës për sezonin e ardhshëm.
Lini një Përgjigje