TAGS-AT E JAVËS

Lifestyle13 Janar 2026, 14:05

Nuk është më Labubu, trendi i 2026-s quhet Mirumi

Shkruar nga Pamfleti
Nuk është më Labubu, trendi i 2026-s quhet Mirumi
Nuk është më Labubu, trendi i 2026-s quhet Mirumi

Pas suksesit global të kukullave Labubu, moda e vitit 2026 duket se ka gjetur një fenomen të ri që po fiton terren me shpejtësi në rrjetet sociale, dyqanet online dhe garderobat e të rinjve anembanë botës. Emri i tij është Mirumi, një lodër e vogël e butë që vendoset në çantë dhe që shumë shpejt po shndërrohet në një aksesor të domosdoshëm të stilit personal.

Mirumi është krijuar nga një kompani japoneze e specializuar në pajisje të lehta robotike dhe dallon dukshëm nga kukullat tradicionale dekorative. Ajo që e bën këtë lodër të veçantë është fakti se nuk shërben vetëm për zbukurim, por ndërvepron me përdoruesin. Falë një sensori të vogël të integruar, Mirumi reagon ndaj prekjes apo zërit, duke lëvizur kokën dhe duke krijuar përshtypjen e një krijese “të gjallë”.

Edhe dizajni i saj nuk kalon pa u vënë re. Pamja e Mirumi-t është një kombinim i ëmbël mes një pellushi të butë dhe një karakteri fantastiko-shkencor, që duket sikur ka dalë nga një film vizatimor futurist. Kjo përzierje mes nostalgjisë, teknologjisë dhe estetikës “cute” e bën atë veçanërisht tërheqëse për brezin e ri.

Popullariteti i Mirumi-t nisi menjëherë pas prezantimit të saj në një panair të madh teknologjie në Las Vegas, SHBA, ku arriti të rrëmbejë vëmendjen e influencerëve, krijuesve të përmbajtjes dhe pasionantëve të modës. Menjëherë pas kësaj, TikTok dhe Instagram u mbushën me video ku përdoruesit testonin reagimet e lodrës apo e shfaqnin atë si aksesorin më të ri që i jep identitet çdo çante.

Ajo që e bën Mirumi-n edhe më tërheqës është fakti se kombinon modën me argëtimin, duke u kthyer në një lloj “miku të vogël” që shpreh humor, reagime dhe sjell një element loje në përditshmëri.

Sipas informacioneve të para, Mirumi do të jetë fillimisht i disponueshëm vetëm online, në një prodhim të kufizuar dhe në ngjyra pastel shumë të buta si rozë, gri dhe bezhë. Shitja pritet të nisë gjatë këtij viti, ndërsa çmimi do të jetë rreth 100 euro.

Për shkak të sasisë së limituar, pritet që Mirumi të shitet shumë shpejt dhe të ndjekë të njëjtin fat si trendet virale të fundit: të shndërrohet në një objekt koleksioni dhe të rikrijojë fenomenin e njohur tashmë si “blije tani ose ke humbur”.

mirumi trend

Lini një Përgjigje