OpenAI ka prezantuar një funksion të ri brenda ChatGPT, të quajtur ChatGPT Health, i cili synon të ofrojë këshilla dhe orientim mjekësor për përdoruesit. Funksioni është i integruar si një tab brenda aplikacionit dhe lejon përdoruesit të bëjnë pyetje mbi shëndetin e tyre, megjithatë ai ende nuk është i disponueshëm.
Sipas kompanisë, “ChatGPT Health” mund të analizojë rezultate laboratorike, të shpjegojë mesazhe të paqarta nga mjekët dhe të përmbledhë historikun klinik të përdoruesit. Por pavarësisht këtyre premtimeve, OpenAI thekson se ky funksion nuk është i destinuar për diagnozë apo trajtim dhe se nuk zëvendëson mjekun.
Këtu lind edhe dilema kryesore: sa e sigurt është që vendime që lidhen me shëndetin të ndikohen nga një chatbot?
Kur këshilla kthehet në vendimmarrje
Raste si ai i Lisa Freeman, një 43-vjeçare nga Bristol, e cila tregon se pas bisedave me ChatGPT u rikthye tek mjekët dhe kërkoi një trajtim tjetër për dhimbjet nervore, tregojnë se përdoruesit nuk e shohin më AI-në thjesht si burim informacioni, por si faktor ndikues në vendimet shëndetësore.
Edhe pse ajo u trajtua përfundimisht nga mjekë të vërtetë, fakti që një chatbot e shtyu drejt një veprimi konkret ngre pyetje mbi kufirin mes informimit dhe ndërhyrjes mjekësore.
Rreziku i të dhënave dhe interpretimit
Përdoruesit inkurajohen të lidhin të dhënat e tyre shëndetësore dhe aplikacione si Apple Health për përgjigje më të personalizuara. OpenAI garanton se të dhënat janë të koduara dhe nuk përdoren për trajnimin e sistemit, por ekspertët paralajmërojnë se çdo lidhje e të dhënave mjekësore me inteligjencën artificiale mbart rreziqe të privatësisë dhe keqinterpretimit.
Ndryshe nga mjeku, ChatGPT nuk mund të bëjë ekzaminime fizike, të vlerësojë gjendjen reale të pacientit apo të mbajë përgjegjësi ligjore për pasojat e këshillave të dhëna.
Pse po i drejtohen njerëzit AI-së?
Sipas një sondazhi të platformës shëndetësore Semble, një në katër pacientë përdor inteligjencën artificiale për të kuptuar më mirë gjendjen e tyre shëndetësore. Arsyet lidhen kryesisht me mungesën e kohës, vështirësinë për të kontaktuar mjekët dhe nevojën për shpjegime më të thjeshta.
Megjithatë, specialistët theksojnë se qartësia nuk është e njëjtë me saktësinë, dhe se këshillat e përgjithshme të një algoritmi mund të jenë të rrezikshme kur aplikohen pa konsultë profesionale.
Pyetja që mbetet
A është ChatGPT Health një mjet ndihmës apo një rrezik i fshehur që po normalizon vetë-diagnostikimin dhe vetë-trajtimin? Ndërsa teknologjia avancon, ekspertët bien dakord për një gjë: shëndeti nuk është një eksperiment digjital dhe nuk mund t’i lihet në dorë një algoritmi, pavarësisht sa i avancuar është ai.
Lini një Përgjigje