
Qendra Kombëtare e Menaxhimit Kufitar bën të ditur se janë të zhbllokuara pikë-kalimet kufitare Jarinjë, Merdar dhe Bërnjak.
Sipas njoftimit, hyrje-daljet në këto pika kufitare zgjasin tre deri në pesë minuta, po ashtu nuk ka kolona të automjeteve.
Kujtojmë se të hënën këto tri pika kufitare kanë qenë të bllokuara për shkak të protestave në territorin e Serbisë, ndërsa qytetarëve u ishte bërë thirrje të shfrytëzoheshin pikat e tjera kufitare.
Ministria e Punëve të Jashtme ka njoftuar ditën e djeshme se është ndaluar kalimi i autobusëve dhe kamionëve nga Kosova, në afërsi të pikave kufitare në Jarinjë dhe Merdar, në territorin e Serbisë. Shefi i stafit të ministres Donika Gërvalla, Sharr Jakupi, ka bërë të ditur se momentalisht nuk është i sigurt as kalimi i veturave për shkak të protestave që po mbahen.
“Ju njoftojmë se ne territorin e Serbisë, në afërsi të pikave kufitare në Jarinjë dhe në Merdar, për shkak të protestave që po mbahen, nuk është i mundur kalimi i autobusëve dhe kamionëve që vijnë nga Kosova. Nuk është i sigurt për momentin as kalimi i veturave”, ka shkruar ajo në Twitter.
Ministria ka bërë thirrje për qytetarët që janë duke udhëtuar dhe gjenden në territorin e Serbisë, t’i përdorin pikat kufitare Mutivodë, Dheu i Bardhë ose të marrin rrugë përmes Maqedonisë së Veriut. Ndërsa ata që nuk kanë hyrë në Serbi, luten të mos udhëtojnë përmes këtij vendi.
Sipas faqes së Ministrisë së Punëve të Brendshme, pikëkalimi në Bërnjak është bllokuar plotësisht. Bllokadat besohet se janë shkaktuar si pasojë e protestave që janë duke u mbajtur në territorin serb.
Lini një Përgjigje