TAGS-AT E JAVËS

Kosova 9 Maj 2026, 12:41

LVV konfirmon Albin Kurtin për kryeministër: Synojmë 60% të votave!

Shkruar nga Pamfleti
LVV konfirmon Albin Kurtin për kryeministër: Synojmë 60% të
Albin Kurti

Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje ka konfirmuar Albin Kurtin si kandidat për kryeministër në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Gjatë mbledhjes së mbajtur ditën e sotme, kryeministri në detyrë deklaroi se synon një mandat të ri qeverisës pas fitoreve të LVV-së në zgjedhjet e vitit 2025, si në ato të shkurtit, ashtu edhe në zgjedhjet e jashtëzakonshme të dhjetorit.

Në zgjedhjet e fundit, Vetëvendosja siguroi mbi 51% të votave, ndërsa Kurti rezultoi kandidati më i votuar në vend.

Gjatë fjalimit të tij, Kurti tha se rritja e mbështetjes për Vetëvendosjen është e vazhdueshme, ndërsa shtoi se synojnë të marrin 60% të votave.

“Prej shkurtit deri në dhjetor u rritëm për 9%. Nëse vazhdojmë me të njëjtin ritëm deri në qershor, mund të prekim 60%. Me punë, sinqeritet dhe përkushtim, kjo është plotësisht e mundur”, deklaroi Kurti.

Ai akuzoi opozitën për bllokim të proceseve institucionale dhe theksoi se veprimet e saj nuk e kanë mundur popullin, por kanë synuar pengimin e shtetit. 

“Sa herë po na bllokojnë, ne po rritemi. Opozita e ka kuptuar se nuk mund ta mundë popullin dhe për këtë arsye ka zgjedhur të bllokojë shtetin”, u shpreh ai.

Kurti shtoi se zgjedhjet e reja nuk kanë qenë të nevojshme për qytetarët dhe shtetin, por mund të jenë interes i disa faktorëve politikë që veprojnë “nga hija”.

Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se 22 subjekte politike dhe tre koalicione janë regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet e 7 qershorit, ndërsa nëntë subjekte kanë hequr dorë nga gara si të vetme ose në koalicione.

këshilli i përgjithshëm i lëvizjes vetëvendosje albin kurti

Lini një Përgjigje