
Lëvizja Vetëvendosje e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ka zyrtarizuar koalicionin parazgjedhor për zgjedhjet e 7 qershorit, duke hyrë në garë së bashku me Partinë Guxo, Alternativën dhe PSHDK-në.
Lajmi u bë i ditur nga bashkëkryetarja e Partisë Guxo, Donika Gërvalla, përmes një postimi në rrjetet sociale.
“Nënshkruam marrëveshjen e koalicionit me Lëvizjen VETËVENDOSJE!, Partinë Alternativa dhe PSHDK-në. Për një Republikë që nuk negocion me interesin e shtetit, për një shtet që nuk lëkundet, institucione që nuk dorëzohen dhe një qeverisje që nuk i nënshtrohet as interesit të ngushtë, as presionit të asnjë kohe”, shkroi ajo.
Marrëveshja konfirmon vazhdimin e bashkëpunimit mes forcave politike që aktualisht përbëjnë shumicën parlamentare në Kosovë. Ky koalicion pritet të jetë një nga zhvillimet kryesore politike para zgjedhjeve të qershorit, ndërsa partitë pjesëmarrëse synojnë të ruajnë shumicën qeverisëse.
Përveç këtij koalicioni të partive shqiptare, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është njoftuar edhe për krijimin e dy koalicioneve të tjera nga komunitetet pakicë, përkatësisht ai i boshnjakëve dhe ai i ashkalinjve.
Në zgjedhjet e qershorit do të marrin pjesë gjithsej tre koalicione me nëntë parti politike, ndërsa kandidimin e kanë konfirmuar edhe 22 parti të tjera.
Këto do të jenë zgjedhjet e treta parlamentare që zhvillohen brenda 18 muajve, pas proceseve zgjedhore të mbajtura në shkurt dhe dhjetor të vitit 2025, të cilat sipas ekspertëve e kanë futur vendin në një krizë të vazhdueshme institucionale.
Lini një Përgjigje