Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka komentuar mundësinë e një bashkëpunimi politik mes ish-presidentes Vjosa Osmani dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, në prag të zgjedhjeve të 7 qershorit.
I pyetur nga gazetarët se “sa i rrezikshëm është binomi Osmani-Abdixhiku për Vetëvendosjen”, Kurti u përgjigj duke rikujtuar rezultatin që partia e tij arriti në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
“Të gjithë që kanë ambicie politike, duan pushtet, kanë vizion e ide për të mirën e qytetarëve, le të angazhohen, le të punojnë me krejt çka dinë e munden dhe iu dëshiroj sukses. Por, duhet ta keni parasysh që për këtë gjë nuk vendos asnjë kryetar partie as një pretend për çfarëdo posti, për këtë vendos populli”, deklaroi Kurti.
Ai theksoi se rezultati i zgjedhjeve të fundit ishte një mesazh i qartë nga qytetarët.
“Mos harroni qysh ka vendosur populli para katër muajsh. Populli ia dha Vetëvendosjes 51.1%, jo 50%, 51. Jo 51, po 51.1%”, u shpreh ai.
Kurti përmendi edhe mbështetjen nga deputetët e komuniteteve joshumicë, ndërsa komenti gjithashtu edhe ambiciet politike të kundërshtarëve.
“Njerëzit kanë dëshira dhe kjo është normale, por s’duhet të ngatërrohen dëshirat me faktet”, tha kryeministri.
I pyetur se çfarë rezultati pret në zgjedhjet e qershorit, Kurti la të kuptohet se përpjekjet e opozitës kundër Vetëvendosjes vetëm sa e kanë forcuar partinë e tij.
“Besoj që qytetarët e kanë kuptuar se sa herë përpiqesh t’ia vësh digën një rrjedhje socio-historike e politike siç është Lëvizja Vetëvendosje atëherë do të ketë gjithnjë e më shumë prurje. Sa herë na kanë vu diga, është rritur prurja. E tash sa do të jetë do ta marrim vesh në mbrëmjen e 7 qershorit”, deklaroi ai.
Lini një Përgjigje