
Të hënën në Bruksel do të mbahet takimi i përbashkët i ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian dhe përfaqësuesve të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ky do të jetë takimi i parë i këtij formati për ministrin në detyrë të Jashtëm të Kosovës, Glauk Konjufca.
Pas takimit të përbashkët, ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të BE-së do të zhvillojnë mbledhjen e Këshillit të Çështjeve të Jashtme, ku një nga temat kryesore do të jetë situata në Ballkanin Perëndimor.
Sipas një diplomati të Bashkimit Evropian, fokusi i diskutimeve do të jetë forcimi i bashkëpunimit mes BE-së dhe vendeve të rajonit, rritja e rezistencës ndaj ndikimeve të jashtme dhe lufta kundër fushatave të dezinformimit.
“Do të diskutojmë se si ta bëjmë rajonin më rezistent ndaj ndërhyrjeve negative të huaja, si dhe për përshtatjen me qëndrimet e BE-së në politikën e jashtme dhe pengimin e shmangies së sanksioneve”, ka deklaruar diplomati për KOHËN.
Në takim pritet të trajtohet edhe pjesëmarrja e vendeve të Ballkanit Perëndimor në misionet e BE-së për siguri dhe mbrojtje. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut përmenden si vende që kanë partneritet të avancuar në këtë fushë.
Një tjetër temë qendrore do të jetë bashkëpunimi rajonal, me theks të veçantë te dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Sipas zyrtarit evropian, BE-ja vlerëson se dialogu ka shënuar progres muajt e fundit, por ritmi i zhvillimeve mbetet më i ngadaltë nga sa pritet në Bruksel.
“Dialogu Beograd-Prishtinë nuk ka avancuar me dinamikën që do të dëshironim të shihnim. Presim diskutime për mënyrat se si procesi mund të ecë përpara”, është shprehur diplomati i BE-së.
Ai ka theksuar gjithashtu se përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme, Kaja Kallas, është e gatshme të angazhohet aktivisht në këtë proces, ndërsa ka përmendur edhe ndikimin që kanë pasur zhvillimet politike dhe zgjedhjet në Kosovë mbi dialogun.
Ministrat do të diskutojnë edhe për përgatitjet e samitit BE–Ballkani Perëndimor, i cili do të mbahet në muajin qershor në Tivat të Malit të Zi.
Lini një Përgjigje