Kryeministri i Kosovës kujtoi sakrificën e familjes Jashari dhe rolin e saj në mobilizimin për çlirim dhe shtetësi
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës të organizuar për 28-vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkujtoi sakrificën e familjes së Adem Jasharit dhe luftën për çlirimin e vendit.
Në fjalën e tij, Kurti e cilësoi Prekazin si një pikë të rëndësishme në historinë e Kosovës dhe si një simbol të rezistencës kundër shtypjes.
“Në ato ditë të përballjes së vullnetit për liri me aparatin e shtypjes, në Prekaz historia u shkrua me zjarr dhe me gjak, toka u bë altar i lirisë dhe një familje u bë simbol kombëtar. Figura e komandantit legjendar Adem Jashari, e lidhur pazgjidhshmërisht me fatin e familjes dhe bashkëluftëtarëve të tij, u bë personifikim i vendosmërisë për të mos e pranuar nënshtrimin”, tha Kurti.
Kreu i ekzekutivit tha se sakrifica e familjes Jashari u bë pjesë e kujtesës kolektive dhe një mësim i vazhdueshëm për vlerën e lirisë.
“Kjo sakrificë u përjetua në vetëdijen dhe kujtesën tonë kolektive si mësim i përhershëm se liria paguhet shtrenjtë dhe se ajo është vlerë e panegociueshme dhe e drejtë e patjetërsueshme. Në rrjedhën historike të përpjekjeve të gjata politike e shoqërore për të drejta, barazi dhe dinjitet, kthesa në Prekaz artikuloi qartë aspiratën e popullit të Kosovës për çlirim nga Serbia pushtuese. Epopeja e UÇK-së u bë thirrje për mobilizim, për bashkim dhe artikulim të qartë të synimit tonë për shtetësi dhe mëvetësi”, tha Kryeministri i Kosovës.
Seanca solemne në Kuvend u mbajt në kuadër të aktiviteteve për shënimin e përvjetorit të Epopesë së UÇK-së.
Lini një Përgjigje