Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka përkujtuar 28-vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke vlerësuar rëndësinë historike të ngjarjeve të marsit 1998 në Prekaz.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Hamza theksoi se tri ditët e marsit të vitit 1998 në Prekaz përbëjnë një moment që ndryshoi rrjedhën e historisë së Kosovës.
“Historia jonë ka shumë kapituj. Por është një ngjarje që ndryshoi rrjedhën e saj: tri ditët e marsit të vitit 1998 në Prekaz”, ka shkruar Hamza.
Ai u ndal edhe te roli dhe sakrifica e familjes Jashari, të cilën e cilësoi simbol të lirisë për popullin e Kosovës.
“Familja Jashari u bë simboli i kombit tonë dhe sakrifica e tyre u kthye në liri. Ata nuk u dorëzuan. Ata nuk u larguan. Ata qëndruan dhe sakrifikuan gjithçka që ne sot të jetojmë të lirë”, thuhet në postim.
Hamza shtoi se gjatë 5, 6 dhe 7 marsit 1998 në Prekaz u mbrojt dinjiteti i popullit të Kosovës, ndërsa përfundoi mesazhin e tij me nderime për Adem Jasharin dhe të gjithë të rënët për liri.
Lini një Përgjigje