TAGS-AT E JAVËS

Kosova 5 Mars 2026, 11:30

Osmani në Kuvend: Epopeja e marsit shënoi kthesën historike të Kosovës

Shkruar nga Pamfleti
Osmani në Kuvend: Epopeja e marsit shënoi kthesën historike
Vjosa Osmani

Presidentja kujtoi sakrificën e familjes Jashari dhe theksoi se kujtesa historike duhet të shndërrohet në vizion për zhvillimin e shtetit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës se muaji mars ka një domethënie të veçantë në historinë shqiptare. Ajo foli në shënimin e 28-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke rikujtuar ngjarjet e 5, 6 dhe 7 marsit 1998 në Prekaz.

Osmani tha se marsi, që në mitologjinë e lashtë lidhej me luftën dhe guximin, përfaqëson muajin e përballjeve që përcaktuan rrjedhën e historisë së Kosovës. Sipas saj, më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, në Prekaz ndodhi një moment që ndryshoi drejtimin e zhvillimeve historike.

Ajo përmendi qëndresën e komandantit të UÇK-së, Adem Jashari, dhe familjes së tij gjatë përballjes me forcat serbe.

Ata zgjodhën lirinë para frikës dhe mbi të gjitha zgjodhën nderin para jetës. Ato tri ditë marsi u bënë muaji i epopesë dhe i sakrificës që lindi një komb të tërë. Familja Jashari u bë kala, ndërkaq kullat e tyre u bënë flamur i përhershëm i lirisë sonë”, deklaroi Osmani.

Presidentja theksoi se 5, 6 dhe 7 marsi përfaqësojnë momentin kur Kosova vendosi të mos jetojë e përkulur.

Sot, kur kujtojmë 5, 6 dhe 7 marsin, rikujtojmë çastin kur Kosova vendosi të mos jetojë e përkulur. Tri ditët e Epopesë janë histori e shkruar me qëndresë, para së cilës përkulemi sot dhe do të vazhdojmë të përkulemi gjithmonë. 58 shpirtra u bënë dritë për një popull. Në ato ditë, krisma e armëve nuk ishte vetëm zhurmë baruti, por një thirrje për liri. Ishte kushtrimi që zgjoi Drenicën, Kosovën dhe mbarë kombin, por edhe ndërgjegjen e botës”, u shpreh ajo.

Osmani tha gjithashtu se nga Prekazi nisi një proces që çoi në përhapjen e rezistencës në gjithë Kosovën.

Sipas saj, Epopeja e marsit nuk është vetëm një kujtesë emocionale, por një akt themelues i Republikës sonë dhe momenti kur pushka e qëndresës u shndërrua në zë politik të një kombi që kërkonte vendin e vet në botë si komb i lirë. Nga Prekazi filloi orteku i lirisë që nuk u ndal më. Aty nisi një frymë që u përhap në çdo fshat dhe qytet, si dhe një betim se kjo tokë nuk do të nëpërkëmbet. Epopeja është epike sepse buroi nga populli”, theksoi ajo.

Presidentja shtoi se kujtesa për sakrificën duhet të shndërrohet në përgjegjësi për ndërtimin e shtetit.

Sot, kur përmendim emrin e Adem Jashari, komandantit legjendar, dhe të gjithë familjes Jashari, kujtojmë frymën dhe thirrjen që na rikujton se liria nuk është kurrë dhuratë, por sakrificë. Shteti është përgjegjësi, ndërsa flamuri që e përfaqëson është amanet. Familja Adem Jashari nuk është vetëm simbol i flijimit, por edhe i dinjitetit të lartë shtetëror. Me heshtje fisnike dhe qëndrim të palëkundur, familja Jashari vazhdon të qëndrojë aty ku e vendosi historia, në piedestalin më të lartë të sakrificës për atdheun. Duke kujtuar heronjtë dhe të kaluarën tonë, si dhe të gjithë dëshmorët që u flijuan për lirinë tonë, ne afirmojmë edhe të ardhmen. Kosova ka mësuar se liria kërkon vizion, vendosmëri dhe mbrojtje të vazhdueshme. Çdo qytetar është partner në këtë projekt kombëtar. Çdo vendim i drejtë dhe i mençur forcon themelet e shtetit tonë. Prandaj kemi detyrimin kombëtar dhe moral që kujtesën historike ta kthejmë në vizion politik dhe zhvillimor, në një Kosovë të fuqishme ku vendimmarrja strategjike dhe integriteti institucional sigurojnë prosperitet për brezat që vijnë. Ky është amaneti i Epopesë së Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, tha ndër të tjera Osmani.

Ajo theksoi se përkujtimi i Epopesë së UÇK-së mbetet një moment për të reflektuar mbi sakrificën për liri dhe për të forcuar angazhimin për zhvillimin dhe konsolidimin e shtetit të Kosovës.

 

osmani kosova uÇk adem jashari

Lini një Përgjigje