
Kryetarja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, deklaroi se përveç Konjufcës, LVV-ja i ka ofruar firmat e deputetëve të saj edhe presidentes aktuale, Vjosa Osmani...
Çështja e zgjedhjes së Presidentit të ri të Kosovës është tensionuar, teksa afatet kohore po skadojnë. Pas deklaratave diplomatike të përdorura këto ditë, sot duket se ‘siguresat’ janë hequr dhe palët e përfshira në këtë proces po flasin pa dorashka.
Përplasja kryesore është ajo mes Kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes aktuale Vjosa Osmani. Teksa nuk u arrit dot të propozoheshin të paktën dy emra për kandidaturën e Presidentit, në mënyrë që të thirrej seanca plenare për zgjedhjen e Kreut të Shtetit, LVV-ja tha se i provoi të gjitha mundësit dhe se është e hapur për cdo propozim.
Madje, kryetarja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, deklaroi se përveç Konjufcës, LVV-ja i ka ofruar firmat e deputetëve të saj edhe presidentes aktuale, Vjosa Osmani, për të garuar edhe për një mandat.
Por kjo ofertë sipas Nagavcit, nuk është pranuar nga Osmani. Ajo shtoi më tej se LVV-ja vazhdon të jetë e gatshëm t’i ofrojë nënshkrimet e deputetëve të saj për subjektet e tjera për të ofruar kandidaturat e tyre potenciale.
“Ne kemi të drejtë të nominojmë edhe një kandidat. Arsyeja është pikërisht në tendencën frymën tonë të bashkëpunimit, qasjen konstruktive edhe ndaj partive opozitare. Me synimin që t’i shmangim edhe një palë zgjedhje. LDK-së e PDK-së u mungojnë votat. PDK tetë vota për 30 nënshkrime ... LDK 15 nënshkrime. Jemi të gatshëm të ofrojmë nënshkrime e presim të dalin me emra konkret e të vazhdojmë me garë si vazhdohet me frymë Kushtetutës”, është shprehur Nagavci.
Por deklaratat e saj janë hedhur poshtë nga ana e presidentes Vjosa Osmani. Ka qenë Këshilltarja e presidentes, Learta Hollaj, ajo e cila ka mohuar që i Vjosa Osmanit i janë ofruar firmat dhe përkrahja e Lëvizjes Vetëvendosje. Në një postim në Facebook, këshilltarja e presidentes, Hollaj, ka thënë se kjo është gënjeshtër.
“Demant. Presidentja Osmani demanton se i janë ofruar nënshkrimet dhe përkrahja nga Lëvizja Vetëvendosje për rizgjedhje si Presidente e Republikës së Kosovës. Kjo është gënjeshtër”, ka thënë këshilltarja Hollaj.
Për reagimin e këshilltares Hollaj, u pyet gjatë konferencës Nagavci, por kjo e fundit nuk është përgjigjur se kur i janë ofruar nënshkrimet por tha se i garanton votat e Lëvizjes Vetëvendosje për Vjosa Osmanin.
“Unë sot i garantojë votat e Lëvizjes Vetëvendosje. Nëse flasim për nënshkrime të deputetëve. Nëse themi se nuk është e vërtetë. Sot jam e gatshme të garantojë në emër të Lëvizjes që do të ofrojë vota për të vazhduar në garë tutje”, tha Nagavci.
Jo presindeti kosoves te caktoje dade zgjedhjes