TAGS-AT E JAVËS

Kosova 4 Mars 2026, 17:20

Lëvizja Vetëvendosje propozon Glauk Konjufcën për president!

Shkruar nga Pamfleti

Lëvizja Vetëvendosje propozon Glauk Konjufcën për president!

Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar Glauk Konjufcën për postin e Presidentit të Republikës së Kosovës...

Teksa duhen vetëm pak orë që të skadojë afati i zgjedhjes së presidentit, Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca për këtë post.

Vetëvendosje me anë të një deklarate në rrjetin social ‘Facebook’ është shprehur se, zgjedhjet e reja do të ishin krejtësisht të panevojshme dhe ka ftuar partitë e tjera që të propozojnë emrat e tyre. LVV-ja ka theksuar gjithashtu se nëse partive opozitare u nevojiten nënshkrime plotësuese do t’i ndihmojnë nga grupi i tyre parlamentar.

Vlen të theksohet se propozimi i Konjufcës nga LVV-ja, shuan 'shpresat' e presidentes Vjosa Osmani për një mandat të dytë.

Lëvizja VETËVENDOSJE!, pas të gjitha përpjekjeve për të arritur marrëveshje, do të propozojë për kandidat për President ministrin e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ish-kryetarin e Kuvendit, deputetin e shtatë legjislaturave dhe njeriun e dytë më të votuar në historinë e Republikës sonë, z. Glauk Konjufca. Jemi të bindur se kjo sfidë është e kalueshme, zgjedhjet janë të evitueshme dhe është plotësisht e mundshme të gjejmë pajtueshmëri për të ecur përpara”, thuhet në postim.

Më tej, LVV-ja thuhet se gjatë takimeve të zhvilluara me krerët e partive opozitare, nuk kanë marrë një propozim konkret për një kandidat konsesual për president.

“Duke pasur parasysh përcaktimet politike të subjekteve parlamentare, si subjekt fitues, propozuam që vendit t’i ofrojmë një kandidat konsensual për President. Për këtë arsye, ftuam disa herë radhazi në takim subjektet më të mëdha opozitare, me synimin për të gjetur emra dhe propozime rreth të cilëve do të mund të ndërtonim pajtim për këtë pozitë, për zgjedhjen e së cilës kërkohet pjesëmarrja e të paktën 80 deputetëve në sallë”, thuhet në deklaratë.

Vlen të theksohet se seanca për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm të Kosovës do të mbahet sonte rreth orës 19:00. Presidentes aktuale Vjosa Osmani i përfundon mandati më 4 prill. E sipas Kushtetutës, Kuvendi nëse dështon ta zgjedhë presidentin jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit aktual, atëherë shteti shkon në zgjedhje të reja.

Për zgjedhjen e presidentit kërkohen të paktën 80 vota në njërin nga dy raundet e para të votimit, ose 61 vota në raundin e tretë, nga gjithsej 120 deputetë që ka Kuvendi.

Partia Demokratike e Kosovës ka deklaruar se nuk do të miratojë asnjë propozim të ardhur nga partia në pushtet.  Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, tha se nuk do të mbështesin asnjë kandidat që imponohet nga partia e në pushtet. Duke folur për ndonjë propozim nga PDK-ja, ai tha se partia të cilës i përket është e gatshme të jap emrin e kandidatit nëse ka marrëveshje politike.

“Qëndrimi ynë është i njëjtë, ne kemi qenë pro që të kemi një kandidat për president konsensual. Kemi qenë me zemër që nëse është dikush nga familja Jashari ta votojmë, por e pamë qëndrimin e tyre. Derisa ka tentime me i dërgu në qosh opozitën dhe me imponu kandidatin  tyre, ne nuk pranojmë dhe me përgjegjësi qëndrojmë prapa qëndrimeve tona që kemi dhënë që mos me qenë mbështetëse të një pushteti autoritar. Ne e respektojmë çdo familje të respektuar edhe Andinin e kemi pas koleg, por ai është vartës i partisë në pushtet dhe derisa është në VV nuk kemi votë për të. Nuk do të qëndrojmë në sallë. PDK-ja është e gatshme me dhënë emrin nëse ka marrëveshje”, tha ai.

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka kritikuar ashpër qasjen e Lëvizjes Vetëvendosje (VV) në procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës, duke e quajtur atë jo serioze dhe të papërgjegjshme.Në një komunikatë për media, LDK thekson se procesi kushtetues duhet të zhvillohet me përgjegjësi institucionale dhe në frymën e vërtetë të konsensusit. Sipas partisë, takimet e deritanishme kanë qenë vetëm konsultative, por qasja e VV-së e trajton çështjen si garë politike, ku një palë propozon emra dhe të tjerët ftohen vetëm për t'i mbështetur, në vend të një diskutimi të përbashkët për një kandidat që përfaqëson unitetin institucional dhe gëzon besim të gjerë parlamentar.

"Lidhja Demokratike e Kosovës ka besuar gjithmonë se procesi i zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të zhvillohet me seriozitet të plotë dhe me përgjegjësi institucionale, si dhe në frymën e vërtetë të konsensusit që kërkon Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Takimet e deritanishme ndërmjet subjekteve politike kanë qenë konsultative, me qëllim gjetjen e një kandidati konsensual për këtë pozitë të rëndësishme shtetërore. Konsensusi nuk është garë politike dhe nuk mund të ndërtohet si proces ku njëra palë propozon emra, ndërsa të tjerat ftohen vetëm për t’i mbështetur ata. Konsensusi nënkupton një proces të përbashkët diskutimi dhe dakordimi për një figurë që përfaqëson unitetin institucional të vendit dhe gëzon besimin e gjerë parlamentar.

Qasja e Lëvizjes Vetëvendosje! nuk reflekton një përpjekje serioze për ndërtimin e këtij konsensusi. Përkundrazi, ajo e trajton këtë proces si një garë politike e jo si përpjekje për të arritur dakordim politik. Një qasje e tillë nuk i shërben as frymës së Kushtetutës dhe as nevojës së vendit për stabilitet institucional. LDK-ja vlerëson se mënyra se si është zhvilluar ky proces nga ana e VV-së nuk krijon kushtet për zgjedhjen e Presidentit dhe nuk dëshmon qëllim të mirëfilltë për të arritur një marrëveshje të gjerë politike. Zgjedhja e Presidentit është një proces që kërkon maturi, përgjegjësi dhe vullnet të vërtetë për bashkëpunim ndërmjet subjekteve parlamentare. Në këtë frymë, Lidhja Demokratike e Kosovës shpreh keqardhje që, për shkak të kësaj qasjeje të papërgjegjshme politike, vendi po shkon drejt kalimit të afateve kushtetuese dhe rrezikon të dërgohet në edhe një palë zgjedhje të reja, në vend të arrihet stabiliteti institucional, të cilin qytetarët tanë e presin dhe e meritojnë", thuhet në njoftimin e LDK-së. 

Ndërkohë që priten propozime të reja nga ana e partive opozitare, mbetet për t’u parë se kush do të jenë emrat dhe nëse do të arrihet një marrëveshje për të shmangur zgjedhjet e parakohshme.

konjufca

Lini një Përgjigje