
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka regjistruar për herë të parë një padi kundër Serbisë, që lidhet me praktikën e çaktivizimit të adresave të shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës.
Lajmi u bë i ditur nga avokati Drini Grazhdan, i cili ngriti padinë në emër të shtetases Teuta Fazliu, duke e cilësuar regjistrimin e saj si një hap procedural jashtëzakonisht të rëndësishëm. Sipas Grazhdanit, padia ka të bëjë me shkeljet e të drejtave të njeriut që kanë ndodhur përmes inaktivizimit administrativ të adresave të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.
Ai theksoi se kjo praktikë përbën, sipas mendimit të tij, "spastrim etnik administrativ", pasi prek jo vetëm shqiptarët që punojnë jashtë vendit, por edhe ata që jetojnë brenda Serbisë.
“Pasivizimi i adresave nuk është simbolik. Ai i detyron shqiptarët të largohen, pasi humbasin të drejtën për një kartë identiteti dhe pasaportë të re, pension, sigurim shëndetësor, të drejtën e votës dhe shërbime të tjera bazë”, deklaroi avokati.
Ai vlerësoi se fakti që Gjykata e Strasburgut e ka regjistruar padinë dhe i ka dhënë asaj një numër aplikimi është një zhvillim shumë domethënës, duke marrë parasysh se mbi 90 përqind e çështjeve refuzohen në fazën fillestare. Grazhdan ka njoftuar se qëllimi i tij kryesor është që Gjykata të zbatojë procedurën e vendimmarrjes pilot, e cila do ta transformonte këtë çështje në një rast me efekt të përgjithshëm.
Kjo do të thoshte, sipas tij, që Serbia do të detyrohej të ndalonte praktikën sistematike të çaktivizimit të adresave dhe të zbatonte vendimin për të gjitha rastet e ngjashme. Në të njëjtën kohë, ai u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve të prekur nga kjo praktikë që të ndjekin procedurat ligjore brenda Serbisë, edhe pse, siç tha ai, autoritetet serbe zakonisht i hedhin poshtë këto ankesa.
"Kjo është një fitore fillestare, por shumë e rëndësishme. Do të jem i përkushtuar për të siguruar që ky proces të përfundojë me një fitore të plotë", deklaroi Grazhdan.
Lini një Përgjigje