TAGS-AT E JAVËS

Kosova 2 Mars 2026, 11:43

Gjyqi ndaj ish-liderëve të UÇK-së, çfarë ka deklaruar në seancë ‘Dëshmitari 7’

Shkruar nga Pamfleti
Gjyqi ndaj ish-liderëve të UÇK-së, çfarë ka
Ish-liderët e UÇK

Dëshmitari flet për hetimet për pengim të drejtësisë dhe konfirmon intervistimin e Mustafës dhe Zyrapit

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës po vazhdon gjykimi në çështjen “Thaçi dhe të tjerët” për administrimin e drejtësisë. Pas përfundimit të pyetjeve nga Prokuroria, ekipet e mbrojtjes nisën kundërpyetjet, duke filluar me përfaqësuesen e Hashim Thaçit, avokaten Sophie Menegon.

Dëshmitari 7, i cili është pjesë e stafit të Prokurorisë, e ka nisur dëshminë më 27 shkurt, në ditën e hapjes së procesit gjyqësor. Ai dëshmon me masa mbrojtëse.

Gjatë kundërpyetjeve, avokatja Menegon e pyeti për njohuritë që ka mbi këtë çështje. Dëshmitari deklaroi se nuk ka lexuar dosjen e Prokurorisë dhe as atë të mbrojtjes në këtë rast. Megjithatë, ai theksoi se ka qasje në të gjitha dokumentet që lidhen me këtë çështje, si edhe në dokumentet e rastit ndaj Thaçit për krime lufte.

Me kërkesë të mbrojtjes, një pjesë e seancës kaloi në privatësi. Pas rikthimit në seancë publike, dëshmitari foli për hetimet e zhvilluara në lidhje me veprën penale që trajton kjo çështje.

“Kishim disa hetime për pengim të drejtësisë. Nuk e dija sa çështje do të përfundonin konkretisht për pengim të drejtësisë. Në përfundim, patëm vetëm tre raste dhe nuk mund t’ua tregoj se sa burime u përdorën për çështjet 10, 11 apo 12. Të gjitha ishin të lidhura me çështjen 06”, tha dëshmitari.

Ai sqaroi se të gjitha hetimet për të cilat foli lidhen me rastet ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Në vijim, avokatja e Thaçit e pyeti për komunikimin me dëshmitarët e çështjes 06. Dëshmitari konfirmoi se Zyra e Prokurorit të Specializuar i ka kontaktuar rregullisht ata për t’i mbajtur të informuar mbi ecurinë e rastit për krime lufte.

“E saktë”, konfirmoi dëshmitari.

Në fund të kësaj pjese të kundërpyetjeve, Menegon ngriti çështjen e intervistimit të disa personave lidhur me ndërhyrjen e pretenduar në këtë proces.

“A është e saktë që Rrustem Mustafa dhe Bislim Zyrapi janë intervistuar nga ZPS-ja lidhur me këtë ndërhyrje?”, e pyeti ajo.

“Po, jam në dijeni”, u përgjigj dëshmitari.

Seanca po vijon me pyetjet e mbrojtjes ndaj Dëshmitarit 7.

 

hage gjyqi thaçi

Lini një Përgjigje