Bordi i Transparencës vendosi çmime të reja tavan për tregtimin e karburanteve në Shqipëri. Vendimi u mor në mbledhjen e radhës së bordit dhe hyn në fuqi në të njëjtën ditë, në orën 14:00.
Sipas vendimit, çmimi maksimal i shitjes me pakicë për gazoilin e standardit SSH EN 590 do të jetë 183 lekë për litër, ndërsa çmimi maksimal i shitjes me shumicë është përcaktuar në 171 lekë për litër.
Për benzinën e standardit SSH EN, çmimi maksimal i shitjes me pakicë është vendosur në 170 lekë për litër, ndërsa çmimi maksimal i shitjes me shumicë në 158 lekë për litër.
Këto çmime do të mbeten në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit të Transparencës, ku do të reflektohen zhvillimet e reja në tregjet ndërkombëtare dhe vendase të karburanteve.
Çmimet e miratuara nga Bordi
Nënprodukti Pakicë Shumicë
Gazoil 183 lekë/litër 171 lekë/litër
Benzinë 170 lekë/litër 158 lekë/litër
Bordi publikoi edhe çmimin referencë të gazoilit për sektorin e peshkimit, i cili rezulton 88 lekë për litër. Ky nivel më i ulët lidhet me përjashtimet fiskale që legjislacioni shqiptar parashikon për anijet e peshkimit.
Referuar Ligjit nr. 9975, datë 28 korrik 2008 “Për taksat kombëtare”, në nenin 9, pika 6, anijet e peshkimit përjashtohen nga pagesa e taksës së qarkullimit dhe taksës së karbonit.
Po ashtu, neni 10, pika 3, germa “d” e Ligjit nr. 61/2012 “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë” parashikon përjashtimin nga detyrimet e akcizës të karburantit që përdoret nga anijet e peshkimit, sipas sasive, kushteve dhe kritereve të përcaktuara në vendimet përkatëse të Këshillit të Ministrave.
Si rezultat i këtyre përjashtimeve dhe metodologjisë së llogaritjes së përcaktuar në aktin normativ, çmimi i gazoilit për peshkim rezulton 88 lekë për litër.
Bordi i Transparencës u tërhoqi vëmendjen të gjithë operatorëve që ushtrojnë aktivitet në tregtimin me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës për detyrimin e zbatimit të vendimit.
Sipas njoftimit zyrtar, çdo shkelje e konstatuar nga autoritetet përgjegjëse mund të shoqërohet me masa administrative deri në pezullimin e aktivitetit të subjektit që nuk respekton çmimet e përcaktuara.
Autoritetet theksojnë se monitorimi i tregut do të vijojë për të garantuar zbatimin e vendimeve të Bordit.
Lini një Përgjigje