TAGS-AT E JAVËS

Ekonomi13 Qershor 2026, 08:43

FMN paralajmëron krizë borxhi në BE: Mund të arrijë 130% të PBB-së deri në vitin 2040

Shkruar nga Pamfleti
FMN paralajmëron krizë borxhi në BE: Mund të arrijë
Brukseli

Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson se plakja e popullsisë, tranzicioni energjetik dhe rritja e shpenzimeve të mbrojtjes do të ushtrojnë presion të fortë mbi financat publike të vendeve evropiane…

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) paralajmëron se borxhi publik i vendeve të Bashkimit Evropian mund të rritet ndjeshëm gjatë dy dekadave të ardhshme. Drejtoresha e Përgjithshme e FMN-së, Kristalina Georgieva, deklaroi se, në mungesë të masave të reja politike, mesatarja e thjeshtë e borxhit publik të vendeve të BE-së mund të tejkalojë 130% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) deri në vitin 2040.

Sipas Georgievës, presionet ekzistuese mbi buxhetet shtetërore, të lidhura me pensionet, shëndetësinë dhe plakjen e popullsisë, do të shtohen nga kostot e tranzicionit energjetik dhe rritja e shpenzimeve ushtarake. FMN vlerëson se këto faktorë mund të shtojnë shpenzime shtesë që arrijnë deri në 5% të PBB-së deri në vitin 2040.

Ajo theksoi se vendet me hapësirë të kufizuar fiskale do të duhet të financojnë rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes në mënyrë neutrale për buxhetin, përmes rritjes së taksave ose uljes së shpenzimeve të tjera publike.

Roli i reformave

FMN vë theks të veçantë te reformat strukturore dhe përfundimi i tregut të përbashkët evropian, me qëllim rritjen e normave të dobëta të zhvillimit ekonomik në shumicën e vendeve të BE-së.

Sipas Georgievës, edhe reforma të moderuara që nxisin rritjen ekonomike mund të reduktojnë me rreth një të pestën përpjekjen fiskale të nevojshme për ta vendosur borxhin në trajektore zbritëse. Sa më ambicioze të jenë reformat për zhvillim ekonomik, aq më e vogël do të jetë nevoja për masa shtrënguese fiskale.

Parashikimet e raportit “Fiscal Monitor” të FMN-së, të publikuar në prill, tregojnë se borxhi publik i Eurozonës pritet të rritet nga 87,1% e PBB-së në vitin 2025 në 89,7% në vitin 2031. Vetëm 4 vende, Greqia, Qiproja, Spanja dhe Portugalia, parashikohet të regjistrojnë ulje të borxhit gjatë kësaj periudhe.

Perspektiva për Greqinë

FMN parashikon se borxhi publik i Greqisë do të bjerë në 110,9% të PBB-së deri në vitin 2031, nga 145,7% që ishte një vit më parë. Në të njëjtën periudhë, borxhi i Francës pritet të rritet në 120,7% nga 116%, ndërsa ai i Belgjikës në 122,3% nga 106,3%.

Borxhi i Finlandës parashikohet të arrijë në 100,8% të PBB-së nga 89,3%, ndërsa ai i Italisë të ulet lehtë në 136,1% nga 137,1%. FMN dhe agjencitë e vlerësimit të kreditit vlerësojnë se faktorët që kontribuuan në uljen e ndjeshme të borxhit grek nga 210% e PBB-së në vitin 2020, përfshirë rritjen e fortë ekonomike, suficitet primare, normat e ulëta të interesit dhe afatet e gjata të shlyerjes, do të vazhdojnë të mbështesin reduktimin e tij edhe në vitet e ardhshme.

Profili i borxhit grek është përmirësuar gjithashtu falë menaxhimit aktiv të tij, përmes shlyerjes së parakohshme të kredive ndaj FMN-së dhe përshpejtimit të kthimit të huave dypalëshe të programit të parë të shpëtimit financiar.

FMN thekson se Greqia nuk përballet me të njëjtin presion për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes dhe pensioneve si shumë vende të tjera të BE-së. Shpenzimet ushtarake të vendit mbeten tashmë në nivele të larta, rreth 2,9% e PBB-së në vitin 2025 sipas metodologjisë së NATO-s, dhe pritet të qëndrojnë relativisht të qëndrueshme gjatë dekadës së ardhshme.

Gjithashtu, sipas raportit të Komisionit Evropian për plakjen e popullsisë, shpenzimet për pensione në Greqi pritet të bien gradualisht në afat të gjatë dhe të afrohen me mesataren e BE-së, ndërsa shpenzimet për shëndetësinë do të rriten me ritme të kontrolluara që nuk pritet të pengojnë uljen e borxhit publik. /Pamfleti/

 

kriza be pbb fmn

Lini një Përgjigje