TAGS-AT E JAVËS

Kosova 2 Mars 2026, 11:51

Zgjedhja e Presidentit të ri, Kurti pritet të takohet me Abdixhikun

Shkruar nga Pamfleti
Zgjedhja e Presidentit të ri, Kurti pritet të takohet me Abdixhikun
Kurti dhe Abdixhiku

Konsultimet nisin mes afateve kushtetuese dhe kërkesës për 80 vota në Kuvend

Kryeministri i Kosovës dhe njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pritet të zhvillojë sot një takim me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, në kuadër të përpjekjeve për zgjedhjen e presidentit të ri.

Gjatë një mbledhjeje të Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti ka theksuar se afatet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit janë të kufizuara. Ai ka kërkuar nisjen e menjëhershme të konsultimeve me partitë parlamentare për të tejkaluar bllokadën institucionale.

Ende nuk janë bërë publike detaje për orarin dhe vendin e takimit me Abdixhikun. Takimet e mëparshme të Kurtit me drejtues të subjekteve parlamentare janë zhvilluar në Kuvendin e Kosovës.

Të shtunën, Kurti u takua për herë të dytë me kryetarin e Partisë Demokratike, Bedri Hamza. Pas takimit, Hamza njoftoi se i ka propozuar Kurtit që kandidati për president të propozohet nga PDK.

Duke folur për procesin e zgjedhjes, Kurti deklaroi se përkatësia partiake nuk përcakton rezultatin në Kuvend.

“Kandidati mund të vijë nga cilido subjekt, por zgjedhjen për president nuk e garanton përkatësia partiake, por vota në Kuvend. Nëse nuk arrijmë të gjejmë një figurë unifikuese që siguron mbështetjen e së paku 80 deputetëve, atëherë një nga opsionet është që secili subjekt politik të propozojë nga një kandidat dhe të zhvillohet garë e hapur në Kuvend,” ka deklaruar Kurti.

Ai ka shtuar se, nëse zhvillohet një garë e tillë, edhe Lëvizja Vetëvendosje do të propozojë kandidatin e saj për postin e presidentit.

Takimi me Abdixhikun konsiderohet pjesë e përpjekjeve për të siguruar shumicën prej 80 votash që kërkohet për zgjedhjen e presidentit të ri.

 

kurti abdixhiku president

Lini një Përgjigje