TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota13 Qershor 2026, 11:58

Trump i pret rrugën Netanyahut, marrëveshja me Iranin ndryshon lojën në Lindjen e Mesme

Shkruar nga Pamfleti
Trump i pret rrugën Netanyahut, marrëveshja me Iranin ndryshon
Trump e Netanyahu

Marrëveshja e afërt mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit duket se po e vendos Benjamin Netanyahun në një pozitë të vështirë, ndërsa Axios zbulon prapaskenat e komunikimit të tij me Donald Trump dhe shqetësimet që mbizotërojnë në Izrael...

Mbrëmjen e së enjtes, Donald Trump zhvilloi një bisedë telefonike me Benjamin Netanyahun, duke i përcjellë një zhvillim që, sipas Axios, kryeministri izraelit nuk dëshironte ta dëgjonte: Shtetet e Bashkuara ndodheshin shumë pranë nënshkrimit të një marrëveshjeje me Iranin.

“Kjo është marrëveshja. Bëhet fjalë për një marrëveshje shumë të mirë dhe ka ardhur koha që lufta të përfundojë”, mësohet t’i ketë thënë Trump Netanyahu-t, sipas një zyrtari të lartë amerikan.

Ky zhvillim duket se është shumë larg pritshmërive të kryeministrit izraelit, i cili që nga fillimi besonte se konflikti mund të çonte madje edhe në ndryshim regjimi në Teheran. Katër muaj para zgjedhjeve në Izrael, kundërshtarët e tij politikë e akuzojnë se po pranon iniciativat e Trumpit dhe po e shndërron Izraelin në një “aleat të nënshtruar” të SHBA-së.

Gjatë bisedës telefonike, Netanyahu thuhet se pranoi se nuk kishte mundësi të pengonte nënshkrimin e marrëveshjes. Siç deklaroi një zyrtar amerikan për Axios, “ai e kuptoi se marrëveshja po përparonte dhe nuk mund ta ndalte”.

Megjithëse zyrtarë si në Uashington ashtu edhe në Teheran deklarojnë se negociatat ndodhen në një fazë të avancuar, ata theksojnë se ende nuk kanë përfunduar.

Planet e Izraelit dhe ndërhyrja e Trumpit

Sipas raportimit, ndërsa tensionet me Iranin po rriteshin ditët e fundit, Netanyahu po shqyrtonte mundësinë e sulmeve të gjera ndaj infrastrukturës energjetike dhe objekteve të tjera kritike. Megjithatë, Trump thuhet se e pengoi zbatimin e këtyre planeve në momentin e fundit.

Që atëherë, kryeministri izraelit duket se ka një rol më të kufizuar në zhvillimet e fundit, duke kërkuar informacione nga aleatët e tij në Uashington për ecurinë e negociatave.

Postimi i Trumpit të enjten, me të cilin ai pretendoi se ishte arritur një marrëveshje, e befasoi Izraelin. Kur pasoi telefonata rreth një orë më vonë, Netanyahu nuk reagoi ashpër dhe nuk shprehu kundërshtime serioze, sipas burimeve amerikane.

Përkundrazi, ai thuhet se deklaroi se i beson Trumpit për të siguruar që marrëveshja përfundimtare do të marrë parasysh shqetësimet e përbashkëta të dy vendeve lidhur me programin bërthamor të Teheranit.

Rezervat në Izrael

Megjithëse qeveria izraelite shmang kritikat publike ndaj presidentit amerikan, në prapaskenë shprehen rezerva të forta për marrëveshjen.

Shqetësimi kryesor është mundësia që Irani të shfrytëzojë përfundimin e konfliktit për të fituar kohë, pa bërë lëshime thelbësore në lidhje me programin e tij bërthamor. Në të njëjtën kohë, vlerësohet se lehtësimi i presionit ndaj Teheranit mund të forcojë ekonomikisht qeverinë iraniane përmes rritjes së të ardhurave nga eksportet e naftës.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, deklaroi se Trump vepron mbi bazën e interesave amerikane, por nënvizoi se Izraeli pret që të ruhen “vijat e kuqe” të përbashkëta lidhur me programin bërthamor, raketat balistike dhe organizatat proiraniane në rajon.

Pikat e fërkimit dhe roli i Libanit

Katz përsëriti gjithashtu se Izraeli ruan të drejtën të veprojë në mënyrë të pavarur nëse vlerëson se Irani po i afrohet sigurimit të armëve bërthamore.

Ndërkohë, zyrtarët izraelitë shqetësohen se armëpushimi i parashikuar në Liban mund të kufizojë lirinë e veprimit të tyre kundër Hezbollahut, pasi Uashingtoni mund të kërkojë koordinim paraprak për operacione të ardhshme ushtarake.

Një zyrtar amerikan deklaroi se SHBA-ja i njeh shqetësimet e Izraelit, duke theksuar se asnjë vendi nuk i kërkohet të heqë dorë nga e drejta për vetëmbrojtje. Ai shprehu gjithashtu bindjen se të gjitha palët do të marrin pjesë përfundimisht në procesin e paqes.

Shqetësime të reja u shfaqën të premten, kur mediat shtetërore iraniane pretenduan se marrëveshja do t’i siguronte menjëherë Teheranit miliarda dollarë.

Sipas burimeve amerikane, Izraeli kërkoi sqarime nga Shtëpia e Bardhë, e cila u përgjigj se raportimet përkatëse keqinterpretonin kushtet e marrëveshjes. SHBA-ja siguroi se çdo përfitim për Iranin do të varet nga përmbushja paraprake e angazhimeve të caktuara nga pala iraniane.

Në të njëjtën kohë, situata në Liban mbetet një faktor që mund të ndikojë në zbatimin e marrëveshjes. Forcat izraelite vazhdojnë të jenë të pranishme në zona të Libanit jugor, ndërsa tensionet me Hezbollahun vazhdojnë.

Zyrtarët amerikanë kanë bërë të qartë se çdo sulm i Hezbollahut ndaj Izraelit ose vazhdimi i mbështetjes ushtarake të organizatës nga Irani do të përbënte shkelje të kushteve të parashikuara.

Për Benjamin Netanyahun, pranimi i një marrëveshjeje që i jep fund luftës pa u arritur objektivat kryesore strategjike të vendosura nga qeveria e tij përbën një goditje të rëndësishme politike dhe gjeopolitike. /Përshtati Pamfleti nga Axios/

 

trump netanyahu lindja e mesme

1 Komente

  1. A
    Altin Prifti

    Keto jane perralla. Izraeli i ka futur unazen ne hunde gjithe kastes politike perendimore dhe i terheq nga te doje vet. Askush nuk i beson keto dokrra

    Lini një Përgjigje