Komisioni Europian ka reagaur pas mbajtjes së seancës në Kuvend, ku u rrëzua me 82 vota kundër kërkesa e SPAK-ut për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut.
“BE-ja e ka ndjekur rezultatin e votimit të sotëm në Parlamentin e Shqipërisë.
Angazhimi ndaj sundimit të ligjit dhe lufta kundër korrupsionit janë me rëndësi të madhe për procesin e anëtarësimit në BE.
Sigurimi i një mjedisi të favorshëm që SPAK të kryejë në mënyrë efektive punën e tij është thelbësor për të mbështetur në mënyrë të besueshme progresin e Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE”, thuhet në reagim.
Pas seancës së mbajtur sot në Kuvend, ka reaguar kryeministri Edi Rama.
Në përgjigje edhe të reagimeve të bëra nga ana e ambasadave, ai argumenton se shumica nuk bëri asgjë ndryshe nga çfarë do të bënte çdo parlament demokratik i Europës.
Duke theksuar mbështetjen e pakontestueshme ndaj punës së SPAK, qëndrimit të ambasadës britanike apo asaj gjermane në vend, kreu i qeverisë thotë se heqja e lirisë së një deputeteje është një hap ekstrem, pasi Balluku nuk akuzohet për veprën penale të korrupsionit.
Kjo e enjte shënoi një ditë vendimtare sa i takon çështjes të diskutuar prej muajsh të Belinda Ballukut, e cila tanimë nuk ushtron më asnjë funksion në ekzekutiv.
Me 82 vota kundër, Kuvendi rrëzoi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme AntiKorrupsion për heqjen e imunitetit të deputetes. Kështu, nuk u autorizua masa shtrënguese ndaj saj, “arrest me burg” ose “arrest në shtëpi”.
PS e PD ishin të ndara në qëndrimet e tyre. Zyrtarisht, socialistët e refuzuan kërkesën, ndërsa PD lexoi relacion e saj dhe ishte pro arrestimti të Ballukut.
Lini një Përgjigje