
Klodjan Braho dhe Joni Keta marrin mbështetjen e amerikanëve...
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shkundur politikën dhe veçanërisht qeverinë shqiptare. Aksioni në Venezuelë u pa si një mesazh i Trump për shumë liderë të tjerë autoritarë apo të lidhur me drogën. Në Shqipëri pati entuziazëm te opozita dhe heshtje nga ana e kryeministrit shqiptar.
Por mesazhi goditës ka ardhur sot. E Ngarkuara me Punë e SHBA, Nancy VanHorn, ka shkuar sot në SPAK, ku ka takuar krerët e rinj të SPAK dhe BKH. Ajo ka vendosur të flasë me fjalët e Marco Rubios: “Ne do të përballemi me kartelet e drogës kudo që ndodhen.”
“E Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn përgëzoi Kryeprokurorin e Posaçëm të SPAK, Klodjan Braho, dhe Kreun e BKH, Joni Keta, për rolet e tyre të reja drejtuese, duke ritheksuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për përpjekjet e SPAK në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të narkotikëve. Siç ka deklaruar Sekretari Rubio: ‘Ne do të përballemi me kartelet e drogës kudo që ndodhen dhe kudo që veprojnë kundër interesave të Shteteve të Bashkuara. Detyrimi kryesor i presidentit është të sigurojë interesin kombëtar dhe sigurinë kombëtare të popullit tonë. Së bashku, ne qëndrojmë të bashkuar në luftën kundër krimit ndërkombëtar’”, njofton ambasada e SHBA.
Si Klodjan Braho ashtu dhe Joni Keta janë dy figura që gëzojnë mbështetjen e amerikanëve. Vetë ambasada e ka ndjekur nga afër zgjedhjen e tyre dhe sot VanHorn u ka dhënë mbështetje që të vijojnë goditjet njësoj si në epokën e Dumanit.
Por mesazhi për kartelet është shumë i fortë. Ambasada ka folur shpesh për krimin ndërkombëtar dhe lëvizja e parë u dha pak muaj më parë, ku u sanksionuan vëllezërit Hysa, si të lidhur me Sinaloan. Ata kanë pasur takime me Ramën.
Vetë Shqipëria po konsiderohet nga shumë media të huaja si një narko-shtet, dhe mesazhi sot është i qartë se amerikanët nuk tolerojnë asgjë që u cenon sigurinë. /Pamfleti
Lini një Përgjigje