Përmbytjet e ditëve të fundit kanë prekur zonën e Torovicës në Lezhë, duke nxjerrë jashtë përdorimit rreth dy të tretat e sipërfaqes bujqësore prej 2500 hektarësh.
Uji ka mbuluar tokat e mbjella dhe po qëndron për një kohë të gjatë, çka rrit ndjeshëm rrezikun për humbje të mëdha ekonomike për fermerët e zonës.
Fermerët dhe specialistët paralajmërojnë se situata vë seriozisht në rrezik sezonin e korrjeve. Sipas tyre, këtë vit mund të mos ketë fare prodhim gruri, duke goditur drejtpërdrejt të ardhurat e familjeve që mbështeten tek bujqësia.
Në terren ka qenë edhe deputeti i Partisë Demokratike për Qarkun e Lezhës, Agron Gjekmarkaj, i cili u takua me banorët dhe theksoi se kjo situatë përsëritet çdo vit.
Gjekmarkaj deklaroi se qeveria duhet të marrë përgjegjësi dhe të ndërhyjë për ta vënë situatën nën kontroll, në vend që të justifikohet vetëm me faktorët natyrorë, pa ndërmarrë masa konkrete për parandalimin e përmbytjeve.
“Situata është mjaft dramatike, është një gjendje shumë e keqe për banorët. Ftoj Ministrinë e Bujqësisë dhe Bashkinë e Lezhës që në kohë në normale të administrojnë zonën ashtu siç duhet, me kanalet dhe kullimet. Edhe këto ditë shohim justifikime nga kryeministri nga qeveria, shpikin përralla të padëgjuara, që ky shi nuk ka rënë gjatë këtyre 100 viteve. I bëj thirrje autoriteteve që të dëmshpërblejnë banorët, jeta e tyre varet nga këto fusha dhe të ,mbjellat që janë shkatërruar.”, tha Gjekmarkaj.
Gjekmarkaj theksoi se është urgjente ndërhyrja në hidrovorin e Balldrenit, i cili aktualisht nuk arrin të kryejë funksionin e tij për shkak të mungesës së investimeve. Sipas tij, investimi i nevojshëm është premtuar prej vitesh, por nuk është realizuar asnjëherë, duke lënë zonën të pambrojtur përballë përmbytjeve të përsëritura.
Lini një Përgjigje