
Partia Demokratike kërkon shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore në zonat e prekura nga përmbytjet dhe reshjet intensive të shiut prej tre ditësh.
Zëdhënësja për Antikorrupsionin në PD, Genta Vangjeli tha se autoritetet nuk ndërmorën asnjë masë parandaluese ndonëse ishte parashikuar se vendi do të prekej nga moti i keq.
Sipas saj, edhe tre muaj më parë shumë banorë u përballën me një situatë të ngjashme dhe autoritetet nuk u “zgjuan” për të vepruar dhe parandaluar përmbytje të tilla katastrofike.
“Si çdo herë, pushtetarët e kësaj qeverie, sapo bie shi, veshin çizmet e propagandës dhe shëtisin nëpër pseudo-inspektime, ndërkohë që realiteti për qytetarët është katastrofik. Masat parandaluese munguan plotësisht dhe reagimi erdhi vetëm pasi dëmi ishte bërë.”, theksoi ajo.
PD kërkon gjithashtu dorëheqjen e ministrit Pirro Vengu si dhe të nisin hetimet për të gjithë përgjegjësit për këtë situatë, që sipas saj ishte e paralajmëruar.
“Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, duhet të japë dorëheqjen, ndërsa organet e hetimit duhet të nisin hetimet për penalizimin e gjithë përgjegjësve të kësaj situate të paralajmëruar, të cilët me veprimet apo mosveprimet lejuan krijimin e kësaj gjendjeje katastrofike, me pasoja të rënda deri në humbjen e jetëve njerëzore nga përmbytjet.”, shtoi Vangjeli.
Deklarata e plotë:
Dy ditë më parë, Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, mblodhi Komitetin Ndërministror të Emergjencave Civile për të diskutuar situatën e krijuar nga reshjet intensive të shiut gjatë ditëve të fundit. Por cili është rezultati konkret i kësaj mbledhjeje?
Gjendja e qytetarëve të përmbytur në Tiranë, Durrës, Lezhë, Gjirokastër, Vlorë, Cërrik, Elbasan, Pogradec e jo vetëm është alarmante dhe tejet e mjerueshme. Banorët raportojnë se janë të izoluar në banesat e tyre, të përmbytura dhe me dëme të mëdha materiale, duke u shkatërruar mundi dhe sakrificat e shumë viteve pune.
Mbi të gjitha, instancat shtetërore nuk u përgjigjen telefonatave për ndihmë. Askush, përveç gazetarëve, nuk shkon për t’u interesuar për gjendjen e tyre.
Prej disa ditësh, qytetet e Shqipërisë ndodhen nën pushtetin e ujit. Vetëm tre muaj më parë ndodhi një tjetër përmbytje dhe, edhe këtë herë, asnjë masë parandaluese nuk u mor, ndonëse reshjet e dendura ishin paralajmëruar.
Si çdo herë, pushtetarët e kësaj qeverie, sapo bie shi, veshin çizmet e propagandës dhe shëtisin nëpër pseudo-inspektime, ndërkohë që realiteti për qytetarët është katastrofik. Masat parandaluese munguan plotësisht dhe reagimi erdhi vetëm pasi dëmi ishte bërë.
Kanale dhe pusetat vijojnë të jenë të bllokuara, si pasojë e mungesës së investimeve serioze për ujërat e bardha, pavarësisht se miliona euro janë shpenzuar për hidrovorë që sot rezultojnë të paaftë për të përballuar situatën.
Në fund, fatura e kësaj paaftësie dhe papërgjegjshmërie i shkon gjithmonë qytetarëve.
Ligji është i qartë prandaj Partia Demokratike kërkon shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në zonat e përmbytura.
Shteti duhet të marrë përgjegjësi të plotë për dëmshpërblimin e banorëve dhe bizneseve të prekura.
Shqipëria nuk qeveriset me propagandë, por me veprime konkrete.
Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, duhet të japë dorëheqjen, ndërsa organet e hetimit duhet të nisin hetimet për penalizimin e gjithë përgjegjësve të kësaj situate të paralajmëruar, të cilët me veprimet apo mosveprimet lejuan krijimin e kësaj gjendjeje katastrofike, me pasoja të rënda deri në humbjen e jetëve njerëzore nga përmbytjet.
Lini një Përgjigje