Prej pothuajse 30 minutash në bulevardin Dëshmorët e Kombit po zhvillohet një përplasje mes protestuesve dhe policisë.
Policia përdori një skenar tjetër, të paaplikuar më parë, duke bllokuar lëvizjen e protestuesve, të cilët nga Kryeministria kishin në plan të shkonin drejt Ministrisë së Brendshme. Por një makinë që hedh ujin me presion dhe disa qindra forca policore kishin krijuar një kordon sigurie në bulevard, pranë ish-hotel Dajtit, duke mos lejuar marshimin e protestuesve.

Policia përdori ujin me presion dhe sasi të vogla të gazit lotsjellës, ndërsa nga opozita u hodhën disa molotovë, shumë më pak në sasi se protestat e mëparshme.

Tensione të herëpashershme janë shënuar gjatë protestës, ndërsa sulmit me ujë nuk i ka shpëtuar as kreu demokrat, Sali Berisha. Megjithëse i rrethuar nga truproja, Berisha është gjendur nën sulmin me ujë, të hedhur nga automjeti që zakonisht përdoret për të shpërndarë protestuesit.
Flamur Noka, Sekretar i Përgjithshëm i PD-së, ka kërkuar që të lejohen protestuesit të marshojnë, ndërsa akuzoi Policinë për shkelje të ligjit.
Lini një Përgjigje