Ka nisur protesta e tetë kombëtare e Partisë Demokratike, ndërsa ndryshe nga tubimet e mëparshme, këtë herë nuk ka pasur fjalime politike nga drejtuesit e opozitës.
Në sfondin e protestës është dëgjuar vetëm zëri i gazetarit Bled Marku, i cili ka renditur akuzat dhe kritikat ndaj kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë.
Ndërkohë, protestuesit e mbledhur para Kryeministrisë kanë brohoritur vazhdimisht “Rama ik”, ndërsa situata deri tani paraqitet e qetë.
Pas grumbullimit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, protesta pritet të vijojë me marshim drejt Kuvendit dhe zonave të tjera të kryeqytetit.
Në zonën pranë Kuvendit janë marrë masa të forta sigurie, ndërsa policia ka ngritur një postobllok në hyrje të Xhamisë së Namazgjasë, duke mos lejuar protestuesit të ngjiten më tej drejt Parlamentit.
Në terren ndodhen qindra efektivë policie, ndërsa drejtori i Policisë së Tiranës, Skënder Hita, po ndjek nga afër zhvillimin e protestës dhe zbatimin e planit të masave.
Lini një Përgjigje