Tensionet kanë vijuar në protestën e opozitës në Tiranë, ndërsa pranë zonës së Hotel Dajtit janë regjistruar përplasje verbale mes drejtuesve të Partisë Demokratike dhe efektivëve të policisë.
Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, është përplasur me forcat e rendit duke kërkuar llogari për bllokimin e rrugës dhe ndalimin e marshimit të protestuesve.
“Pse provokoni? Pse bllokoni protestën? Keni ligj ju apo jo? Shkoni arrestoni Ballukun dhe Ramën, jo ata që protestojnë kundër korrupsionit”, deklaroi Bardhi.
Ndërkohë, situata në terren mbetet e tensionuar, ndërsa policia herë pas here ka përdorur ujë me presion dhe gaz lotsjellës për të mbajtur larg protestuesit nga kordoni i sigurisë.
Edhe sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka, reagoi ashpër ndaj Policisë së Tiranës dhe drejtorit Skënder Hita.
“Ne nuk na ndalojnë dot. Skënder Hita është kamikaz. Ta harrojë se mund të ndalojë opozitën”, tha Noka për mediat.
Protestuesit janë larguar nga Kryeministria drejt Ministrisë së Brendshme dhe Kuvendit, ndërsa nga turma janë hedhur edhe molotovë në drejtim të forcave të policisë.
Lini një Përgjigje