Deputeti i Partisë Demokratike, Luan Baçi komentoi protestën e fundit të opozitës si një reagim qytetar të fuqishëm dhe jashtë çdo pritshmërie, pavarësisht kohës së shkurtër të organizimit.
Ai theksoi për Syri Tv se rëndësia e protestave nuk qëndron vetëm te numrat, por te shprehja e vullnetit të lirë të qytetarëve dhe mesazhi politik që ato përcjellin.
Sipas Baçit, protesta shënon hapjen e fazës së dytë të aksionit opozitar, pas një periudhe të gjatë denoncimesh dhe faktesh të paraqitura para ndërkombëtarëve për zgjedhjet e 11 Majit, të cilat, sipas raportit të OSBE-ODIHR, nuk kanë qenë të lira dhe të ndershme.
Luan Baçi: Pavarësisht se ishte vërtet një protestë shumë e fuqishme, me numra shumë të konsiderueshëm do ta quaja, jashtë pritshmërive madje do ta quaja, për arsye se ishte një protestë e lajmëruar brenda katër-pesë ditësh, si një protestë kombëtare. Por unë e kam thënë shpeshherë dhe e përsëris që e rëndësishme është që protestohet. Kompleksi i numrave nuk duhet fare që të jetë pjesë e jona. Protestat janë protesta dhe ato shprehin vullnetin e qytetarëve të lirë. Gjithsesi, protesta e djeshme ishte protestë që po të vini re, edhe ato media të dashamirëse me ne që janë në gjurmim të përhershëm për të dhënë pamje nga protestat një orë para fillimit të protestës ose dy orë pas mbarimit të protestës, këtë herë ishin, ishin pa gojë, nuk kishin çfarë të thoshin se...
Ngelën keq nga një protestë që ata nuk e prisnin, dhe kishin krijuar idenë se Partia Demokratike do të kishte aq protestues sa kishte çdo të hënë tek foltorja, që ne e kishim krijuar si një dritare për deputetët që s'kishin fjalën në parlament, që ua mohonte Niko Peleshi, dhe për qytetarët e lirë që donin të vinin të flisnin. Mbrëmë morën përgjigjen e merituar, ata dhe kushdo tjetër, përveç se atyre disa mediave të pushtetit, por edhe shumë analistë në thonjëza të pavarur në thonjëza kjo, që në mënyrë të përnatshme me paratë e pushtetit mundohen të bënin analiza për të thënë që Partia Demokratike është ngushtuar, është zvogëluar dhe nuk ka më numrat e duhur as për protestë. Mbrëmë morëm përgjigjen e duhur.
Kryetari i Partisë Demokratike, zoti Berisha nuk është se e tha vetëm mbrëmë, e ka thënë shpeshherë në çdo dalje që ka qenë televizive. Nuk është se ne kemi ndaluar të protestuarit, por koha pas 11 Majit dhe deri një muaj para me daljen e raportit OSBE-ODIHR, Partia Demokratike ka qenë e fokusuar tek denoncimet dhe përgatitja e materialit me fakte, prova dhe dokumente, për të ndërgjegjësuar dhe për të bërë transparencë tek ndërkombëtarët për grabitjen dhe vjedhjen e zgjedhjeve të 11 Majit. Dhe besoj, dhe kjo është fakt, ia arritëm një sukses të paparë ndonjëherë, ku në raportin e OSBE-ODIHR, falë përkushtimit të Partisë Demokratike me prova, fakte dhe argumente, të shkruhej e zezë mbi të bardhë që zgjedhjet nuk ishin të lira dhe të ndershme, është zhdukur kufiri midis shtetit dhe partisë, janë kryer me mijëra takime jashtë afateve ligjore, janë marrë vendime të shumta nga qeveria në ndikim të madh për zgjedhjet.
Parë në këtë këndvështrim, Partia Demokratike dje, pikërisht dje, hapi si parin e një faze të dytë të bërjes së opozitës, të daljes në rrugë, të protestave të fuqishme. Tashmë nuk kemi çfarë të presim më, kemi kaluar fazën e parë, e kemi bërë me dije ndërkombëtarët, opinionin kombëtar, me fakte, me prova, që zgjedhjet e 11 Majit ishin një farsë. Pra nuk kemi pasur zgjedhje. Tashmë qytetarët duhet dhe do të dalin në shesh ashtu siç dolën mbrëmë, për ta detyruar, për ta detyruar këtë qeveri të pranojë të bëjë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Protesta e mbrëmshme dhe çdo protestë tjetër që do të jetë, nuk janë protesta që dalin në shesh dhe rrëzohet qeveria atë ditë dhe krijojmë qeverinë ne.
Lini një Përgjigje