“Politico” i ka kushtuar një artikull krizës politike në vend dhe protestës së opozitës dje. Me qindra qytetarë protestuan para Kryeministrisë për aferat e qeverisë, teksa nuk munguan as bombat molotov. “Politico” ka marrë reagime nga Edi Rama dhe Sali Berisha.
Mijëra qytetarë dolën në protestë në Tiranë të hënën, në një demonstratë të thirrur nga opozita, e cila kërkoi dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama pas akuzave për korrupsion ndaj zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku. Imuniteti i saj parlamentar, deri më tani, ka penguar arrestimin nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit (SPAK).
Kriza politike në Shqipëri është thelluar prej javësh, që kur SPAK akuzoi Ballukun për ndërhyrje të paligjshme në kontrata shtetërore të rëndësishme. Situata kulmoi mbrëmjen e së hënës, kur gjatë protestës përpara Kryeministrisë u hodhën koktej molotovi, duke tensionuar edhe më tej klimën politike.
Gjatë përplasjeve me forcat e rendit, u arrestuan katër protestues, ndërsa shtatë të tjerë janë vënë nën hetim. Dy efektivë policie mbetën të plagosur dhe një protestues, sipas mediave vendase, pësoi djegie të rënda pasi mori flakë aksidentalisht.
Protesta u organizua nga ish-kryeministri Sali Berisha dhe Partia Demokratike, në vijim të përshkallëzimit të tensioneve në Kuvendin e Shqipërisë javën e kaluar, ku deputetët e opozitës ndezën flakadanë dhe shkaktuan përplasje fizike, ndërsa policia u detyrua të ndërhyjë në sallën e parlamentit.
Përmes zëdhënësit të tij, Berisha deklaroi për Politico: “Nuk e justifikojmë asnjë formë dhune – veçanërisht atë që ushtrohet nga pushteti. Forma më brutale e dhunës është zhvatja dhe vjedhja sistematike që Edi Rama dhe ministrat e tij i bëjnë popullit shqiptar. Këto protesta kanë për qëllim ta ndalin këtë dhunë”.
Prokurorët dhe deputetët e opozitës po kërkojnë heqjen e imunitetit parlamentar të Ballukut, në mënyrë që ajo të mund të ndiqet penalisht për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Por shumica qeverisëse socialiste ka bllokuar votimin, duke thënë se do të presë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që pritet në janar.
Balluku, e cila mban edhe postin e ministres së Infrastrukturës, akuzohet për favorizim të kompanive të caktuara në tenderë publikë me vlera të mëdha, përfshirë projektin e Unazës së Madhe të Tiranës dhe Tunelin e Llogarasë. Ajo ka mohuar akuzat, duke i quajtur ato “përgjysmë të vërteta”, “insinuata” dhe “gënjeshtra”, dhe është shprehur e gatshme të bashkëpunojë me drejtësinë.
Nga ana tjetër, kryeministri Rama ka dalë në mbrojtje të Ballukut, duke kritikuar SPAK-un për atë që ai e cilëson si “normalizim të arrestimeve pa gjyq”, duke thënë se kjo bie ndesh me standardet demokratike evropiane.
Në një intervistë për Politico, Rama u shpreh se është e kuptueshme që SPAK, si një institucion i ri me fuqi të reja të pavarura, mund të bëjë gabime në veprimet e tij. “Është një institucion në lindje që ka bërë shumë gabime”, tha ai.
Kur u pyet për protestat dhe kërkesat për dorëheqjen e tij, Rama zgjodhi të mos komentojë, duke thënë se nuk dëshiron të sulmojë kundërshtarët politikë: “Sepse në fund të fundit ata nuk janë armiq për t’u ekspozuar para botës, por bashkëkombës të dëshpëruar që duhet të përballen dhe trajtohen brenda jetës sonë politike të brendshme”.
Berisha reagoi menjëherë, duke e akuzuar Ramën për vjedhje zgjedhjesh dhe duke i bërë thirrje që të largohet: “Ai nuk ka më asnjë legjitimitet për të qëndruar në qeveri qoftë edhe një ditë të vetme”, deklaroi Berisha për Politico.
Kujtojmë se Rama u rizgjodh në muajin maj për mandatin e tij të katërt si kryeministër i Shqipërisë. /Pamfleti
Çfarë ligjimiteti ka Berisha të qëndrojë në politikë ec e gjeje, i korruptuar po , humbês zgjedhjesh po . Vjedhês votash po , shkelës i statutit të partisë jo; gënjeshtar e i pafytyrë , dy herë deputet e dy herë kryeministër i përzanë me shqelma ; Po . Pa berishën dhe Rama do qarkullonte më lshpejt.