
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka përfunduar një vizitë tre ditore në Gjermani, gjatë së cilës zhvilloi takime në Ministrinë e Jashtme gjermane, Bundestag, Kancelari dhe me përfaqësues të biznesit dhe politikës në Berlin.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Tabaku tha se në qendër të diskutimeve kanë qenë procesi i integrimit europian, problemet që përballin qytetarët shqiptarë dhe klima e biznesit në Shqipëri.
“Problemet kryesore që hasin shqiptarët dhe bizneset lidhen me ligjin, me zbatimin e ligjit dhe me luftën kundër korrupsionit”, deklaroi Tabaku.
Sipas saj, mungesa e sigurisë juridike dhe korrupsioni vijojnë të mbeten pengesat kryesore për investimet e huaja dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Deputetja demokrate vlerësoi gjithashtu rolin e Gjermanisë në mbështetje të integrimit europian të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor.
“Gjermania ka qenë mbrojtësja kryesore e këtij procesi, shtytësja kryesore e Procesit të Berlinit dhe e bën këtë për Shqipërinë dhe për shqiptarët”, u shpreh ajo.
Tabaku theksoi se integrimi europian nuk duhet parë vetëm si një proces politik, por si një projekt që prek drejtpërdrejt jetën e qytetarëve shqiptarë.
“Këto tema janë tema të politikës, por janë edhe tema të jetës së qytetarëve shqiptarë”, deklaroi ajo.
Në vijim të mesazhit të saj, Tabaku e cilësoi integrimin europian si rrugën kryesore për transformimin e vendit.
“Procesi i integrimit është i vetmi proces që do ta ndryshojë Shqipërinë”, tha deputetja e PD-së.
Tabaku deklaroi se Shqipëria mund të shndërrohet në një partner serioz për industrinë dhe investimet europiane, por kjo kërkon reforma konkrete, ekonomi funksionale tregu dhe institucione që garantojnë konkurrencë të ndershme dhe siguri ligjore.
"Në përfundim të një vizite tre ditore në Gjermani, në Ministrinë e Jashtme ku diskutuam për procesin e integrimit, problemet kryesore që hasin shqiptarët, që hasin bizneset, lidhen sigurisht me ligjin, lidhen me zbatimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit.
Por më e rëndësishmja është qëndrimi i qeverisë Gjermane. Gjermania ka qenë mbrojtësja kryesore e këtij procesi, shtytësja kryesore e Procesit të Berlinit dhe e bën këtë për Shqipërinë dhe për shqiptarët, duke pasur parasysh që integrimi është projekti më i rëndësishëm.
Këto tema sigurisht janë tema të politikës, por janë tema edhe të jetës së qytetarëve shqiptarë, sepse procesi i integrimit është i vetmi proces që do e ndryshojë Shqipërinë", tha Tabaku.
Lini një Përgjigje